Zëvendësministrja Gashi: Ndërhyrjet ajrore të NATO-s kthesë historike

Ambasada e Kosovës në Maqedoninë e Veriut në bashkëpunim me Institutin për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve ka shënuar 25 vjetorin e intervenimit të NATO-s në Kosovë.

Siç njoftojnë nga MPJD, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi mori pjesë në këtë jubile duke ritheksuar se sulmet ajrore të NATO-s ishin veprime të drejta historike dhe ndërhyrje të nevojshme për të ndaluar gjenocidin e Serbisë ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë.

“Reflektimet të cilat i bëjmë sot mbi Republikën e Kosovës, si një shtet që promovon lirinë dhe demokracinë, bazuar në parimet e të drejtave të njeriut dhe të pakicave, si dhe në vlerat perëndimore, janë argumenti më i fortë për të vlerësuar sulmet ajrore të NATO-s, si një veprim të drejtë dhe historik”, tha zëvendësministrja Gashi përpara të pranishmëve.

Njëherit u vlerësua lartë roli i autoriteteve të Maqedonisë së Veriut e sidomos komunitetit shqiptar në këtë vend fqinjë në strehimin e refugjatëve nga Kosova.

“Në diskutimin e organizuar nga Ambasada jonë në Maqedoni kontribuuan edhe Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, Drejtori i ITKSHK-s Skender Asani dhe gazetarja Dijana Toska, duke shënuar këtë ngjarje historike jo vetëm për Kosovën por gjithë rajonin, si dhe reflektimin mbi pikënisjen e kultivimit të vlerave evropiane në 25 vitet e fundit”, thuhet në komunikatën e MPJD-së.

Po ashtu në këtë ngjarje, morën pjesë diplomatë e përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, akademikë e përfaqësues nga sektorë të ndryshëm.

Go to TOP