Sadiku: Nuk më pengojnë xhipat, më pengon keqqeverisja dhe mungesa e rezultateve

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka reaguar ndaj debatit për blerjen e veturave zyrtare nga Qeveria duke kritikuar atë që e cilësoi si keqqeverisje dhe mungesë të rezultateve.

Sadiku tha se nuk pajtohet me qasjen populiste që, sipas tij, do të përdorej nga Vetëvendosje sikur të ishte ende në opozitë.

“Me 60 mijë euro kishin mujt me u ble 60 mijë infuzione për të sëmurët. Kishin mujt me u ndërtu një çerdhe e vogël. Hajna. Shpijuna. S’jemi të varfër. Jemi të vjedhur. Nejse, ky do të ishte një postim tipik popullist i një deputeti të VV-së, po të ishin ende në opozitë”, ka shkruar ai.

Deputeti i LDK-së theksoi se nuk e sheh problem blerjen e veturave zyrtare kur ato janë të nevojshme për institucionet.

“Unë mendoj ndryshe. Qeveria duhet të ketë vetura pune kur ato janë të nevojshme. Xhipat nuk më pengojnë. Ajo që më pengon është keqqeverisja, mungesa e rezultateve dhe mospuna. Qeveri me amatera”, ka përfunduar Sadiku. /Kosova.info/


Go to TOP