Kelmendi: Pa kompromis mes partive shqiptare nuk mund të formohen institucionet

Analisti Adriatik Kelmendi ka vlerësuar se rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit nuk i ka dhënë asnjë subjekti politik shumicën e nevojshme për të formuar i vetëm institucionet e Kosovës duke theksuar se zgjidhja e vetme është bashkëpunimi dhe kompromisi mes partive.

Sipas tij, nëse për konstituivin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë kërkohet bashkëpunim me partitë e komuniteteve joshumicë dhe ndarja e posteve ministrore, atëherë nuk ka logjikë që për zgjedhjen e Presidentit të refuzohet çdo marrëveshje me partitë shqiptare.

Kelmendi rikujton se Lëvizja Vetëvendosje, me 53 deputetë, nuk i ka votat e mjaftueshme për të zgjedhur e vetme kryetarin e Kuvendit, Qeverinë apo Presidentin. Ai sjell si shembull Qeverinë Kurti 3, ku për sigurimin e shumicës parlamentare u ndanë poste ministrore për përfaqësues të komuniteteve serb, turk, boshnjak dhe egjiptian.

Sipas tij, praktika politike në Kosovë ka treguar se asnjë subjekt nuk ka mundur t’i mbajë i vetëm të tri pozitat kryesore shtetërore, përveç një rasti të veçantë në vitin 2021. Ai argumenton se edhe tani, për zgjedhjen e Presidentit dhe funksionalizimin e institucioneve, nevojitet marrëveshje politike dhe ndarje e përgjegjësive ndërmjet partive shqiptare.

Në përfundim, Kelmendi thekson se mesazhi i qytetarëve nga zgjedhjet është i qartë: asnjë parti nuk ka mandat për të qeverisur e vetme, prandaj kompromisi dhe ndarja e pushtetit janë rruga e vetme për daljen nga ngërçi institucional. /Kosova.info/

Go to TOP