UP-ja organizoi aktivitet kushtuar 250-vjetorit të pavarësisë së SHBA-së
Në kuadër të Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës 2026, Universiteti i Prishtinës organizoi aktivitet, kushtuar 250-vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nën moton “250 vjet si fener i demokracisë për botën”.
Aktiviteti është bashkëpunim mes Rektoratit të UP-së në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës dhe Bordin Kosovaro-Amerikan të Shkëmbimeve Arsimore.
Përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, diplomatë, akademikë dhe ish-përfitues të programeve të shkëmbimit, u panë në aktivitetin që nisi me intonimin e himnit të Republikës së Kosovës dhe atij të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në fjalën e tij rektori i UP-së, Arben Hajrullahu tha se shpallja e pavarësisë sonë më 17 shkurt 2008 nuk ishte fundi i procesit të ndërtimit të shtetit, por ajo shënoi fillimin e një epoke të re bashkëpunimi me Amerikën.
“Gjatë këtij procesi historik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë një partner i jashtëzakonshëm i Kosovës. Mbështetja e tyre shkoi përtej aspiratave tona për liri dhe shtetësi. Shtetet e Bashkuara kontribuan në forcimin e institucioneve tona, në zhvillimin e kulturës sonë kushtetuese dhe në konsolidimin e vlerave demokratike mbi të cilat Republika jonë vazhdon të ndërtojë të ardhmen e saj. Për këtë jemi përgjithmonë mirënjohës.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti, tha se përkushtimi i Shteteve të Bashkuara ndaj të mbajturit gjallë dhe demokratik debatin, është për tu admiruar.
“Shoqëria civile e Kosovës sot u detyrohet shumë miqve tanë amerikanë. Edhe pse, si përqindje e buxhetit federal të SHBA-së, kjo ndihmë e huaj mund të duket e vogël, për demokracinë tonë ajo ka bërë gjithë ndryshimin që ka rëndësi. Krahas këtyre kontributeve të prekshme në përparimin e Kosovës, një tjetër aspekt që e admiroj shumë te Shtetet e Bashkuara është përkushtimi i tyre i vazhdueshëm ndaj debatit të gjallë demokratik. Fryma kritike që frymëzoi debatet e mëdha në themelimin e Amerikës vazhdon edhe sot. Ky përkushtim pasqyrohet si në institucionet shtetërore amerikane, ashtu edhe në publikun e gjerë, dhe me të drejtë shërben si model për vendet e tjera”.
Zëvendësshefja e Misionit të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Wylita Bell, u shpreh se të dy vendet, Kosova dhe Amerika e dinë çfarë do të thotë të luftosh për lirinë, të investosh te të rinjtë dhe të besosh se e nesërmja mund të jetë më e mirë se e sotmja.
“Këtu, në Universitetin e Prishtinës, ju ndani të njëjtin përkushtim për të investuar te rinia dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën. Përmes Universitetit Veror Ndërkombëtar, ju keni mbështetur të rinjtë e Kosovës dhe jeni lidhur me vlerën amerikane të arsimit. Është vërtet e mrekullueshme që këtë javë dhe javën e ardhshme këtu ndodhen 32 studentë dhe shtatë profesorë e studiues nga Shtetet e Bashkuara. Disa prej jush kanë ardhur në Kosovë për herë të parë, ndërsa të tjerë mund të jenë rikthyer pas disa vitesh. Jam i sigurt se të gjithë keni përjetuar tronditjen kulturore të jetesës në një vend tjetër, por edhe emocionin që sjell provimi i ushqimeve të reja, krijimi i miqësive të reja dhe ndërtimi i urave ndërmjet kulturave të ndryshme. Ju inkurajoj t’i ruani dhe forconi këto marrëdhënie me bashkëmoshatarët tuaj nga vendet e tjera edhe pasi të përfundoni këtë program. Dhe, pasi kam punuar në Kosovë për gati një vit, mund t’ju them se ky është vendi më mikpritës, më i ngrohtë dhe më miqësor që kam vizituar ndonjëherë; ju garantoj se do të keni një përvojë të mrekullueshme këtu”, përfundoi Bell.
Përmes video-lidhjes, drejtoresha e Institutit Dole për Politikë, Audrey Coleman dërgoi tha se Kosova është ndër vendet që shpalli pavarësinë e saj duke marrë si model Deklaratën Amerikane të Pavarësisë të vitit 1776 për barazi, liri, demokraci dhe vetëvendosje.
“Historia moderne e Kosovës është e lidhur ngushtë me këto përpjekje. Senatori Bob Dole, emrin e të cilit mban instituti ynë, i kuptonte thellësisht këto parime. Jeta e tij në shërbim publik pasqyroi një përkushtim të palëkundur ndaj të drejtave të njeriut dhe, duke qëndruar përkrah popujve që luftonin kundër shtypjes, ai u bë shembull i udhëheqjes amerikane. Vizita ime në Kosovë ma bëri të qartë se puna e senatorit Dole nuk kujtohet vetëm si histori. Ajo mbetet pjesë e marrëdhënies së gjallë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. Edhe pse kalimi i kohës dhe ardhja e brezave të rinj janë të pashmangshme, pikërisht ky kalim nga historia në përvojë të jetuar, në marrëdhënie të jetuara, na jep mundësinë e rrallë për t’iu ripërkushtuar vlerave të përbashkëta që i bëjnë shoqëritë të lira në kushtet dhe rrethanat e kohës sonë. Standardet e larta të vetëqeverisjes të vendosura nga Deklarata e Pavarësisë së SHBA-së përcaktojnë gjithashtu sfidën e përhershme për t’i bërë ato realitet. Të njëjtat përpjekje ndahen nga popujt dhe shtetet liridashëse që e shohin Amerikën si simbol të lirisë, demokracisë, qeverisjes kushtetuese dhe dinjitetit njerëzor. Për këto arsye, programi i kësaj pasditeje është më shumë se një përkujtim; ai është një mundësi për të reflektuar mbi atë që demokracia kërkon nga çdo brez: dije, përgjegjësi, guxim dhe angazhim aktiv qytetar, qoftë në një vend me 250 vjet histori apo në një shtet të ri si Kosova”, tha ndër të tjera Coleman.
Në panel po diskutohet mbi rolin historik të Shteteve të Bashkuara në promovimin e demokracisë dhe mbi rëndësinë e bashkëpunimit akademik Kosovë–SHBA, me pjesëmarrjen e ambasadorit të parë të Kosovës në Uashington, Avni Spahiu, profesoreshës Luljeta Plakolli-Kasumi dhe Dr. Melanie Shoffner nga Universiteti James Madison.
Ndërsa më pas do të mbahet edhe një tryezë diskutimi kushtuar ndikimit të programeve të shkëmbimit akademik dhe perspektivave të bashkëpunimit të mëtejshëm ndëruniversitar.
