Zëvendësministri izraelit i quan gjysmënjerëz ardhacakët izraelitë në Bregun Perëndimor

Një zëvendësministër izraelit, i quajtur Yair Golan, është kritikuar ashpër nga kolegët e tij qeveritarë, pasi tha se ardhacakët izraelitë në Bregun Perëndimor janë “gjysmënjerëz”. Kjo deklaratë nxiti krahasime mes tij e nazistëve.

Duke folur për kanalin televiziv të Kuvendit të Izraelit, Golan, anëtar i partisë majtiste, Meretz, tha se ardhacakët do t’i sjellin katastrofë Izraelit, shkruan Independent.

Qindra mijëra qytetarë izraelitë jetojnë në vendbanimet e Bregut Perëndimor, të cilin Izraeli e kishte marrë nën kontroll nga Jordania në luftën e vitit 1967. Këto komunitete, të cilat janë rritur në masë të konsiderueshme në dekadat e fundit, janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar dhe e minojnë mundësinë për një shtet të pavarur palestinez, shkruan gazeta e njohur britanike.

“Këta nuk janë njerëz, këta janë gjysmënjerëz. Njerëz të neveritshëm dhe çoroditje e popullit hebraik. Atyre nuk duhet t’u jepet asnjë mbështetje”, tha Golan, i cili në qeverinë izraelite shërben si zëvendësministër në Ministrinë e Ekonomisë.

Komentet e tij nxitën reagim të fuqishëm nga Kryeministri Naftali Bennet, i cili udhëheq një koalicion qeveritar me parti që kanë ideologji shumë të ndryshme mes vete. Bennett tha se deklarata e zëvendësminsitrit është “tmerruese, përgjithësim dhe në kufijtë e shpifjes së inatit”, ndërsa paraardhësi i tij, shefi i opozitës, Benjamin Netanyahu, tha se fjalët e Golanit janë “marrë drejtpërdrejt nga terminologjia naziste kundër popullit hebraik”.

Sidoqoftë, zëvendësministri Golan e mbrojti deklaratën e vet, duke thënë se ai po u referohet izraelitëve të cilët raportohet se kanë shkatërruar disa varre myslimane afër shtëpive të tyre. Ai më vonë i tha Radios së Ushtrisë Izraelite se shumica e ardhacakëve e respektojnë ligjin.

“Fjalët e mia janë për ata që i përdhosin varret, që sulmojnë njerëz të pafajshëm dhe që shkatërrojnë prona. Cila është mënyra e duhur për t’u marrë me njerëz të tillë? Me cilat fjalë t’i quajmë ata? Është koha që të thuhet e vërteta – ky nuk është judaizmi ynë”, tha ai.

Go to TOP