Zbulohet komploti për ta vrarë Presidentin Zelenskiy

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, shkarkoi të enjten kreun e gardës shtetërore, dy ditë pasi dy anëtarë të saj u akuzuan për komplot për ta vrarë presidentin.

Presidenti Zelenskiy nxori një dekret për shkarkimin e Serhiy Rud. Nuk ka njoftime se kush do ta zëvendësojë atë.

Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SBU) tha këtë javë se kishte ndaluar dy kolonelë të shërbimit të rojës shtetërore, nën akuzat për komplot për të vrarë Zelenskiy dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

SBU-ja tha se atentatet do të kishin qenë një “dhuratë” për presidentin Vladimir Putin, ndërsa ai u betua të martën për një mandat të ri. Agjencia ukrainase e sigurisë tha se dy të ndaluarit ishin rekrutuar nga Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) dhe i kishin dhënë Moskës të dhëna sekrete.

Dy të arrestuarit, tha SBU-ja, ishin ngarkuar me detyrën për të gjetur dikë në rojën presidenciale, i cili do ta merrte peng Zelenskiy dhe më pas do ta vriste. Nuk ka të dhëna se në cilën fazë ishte zbuluar komploti. Moska nuk ka komentuar lidhur me deklaratat e SBU-së.

Presidenti Zelenskiy tha vitin e kaluar se shërbimet ukrainase të sigurisë kishin zbuluar dhe asgjësuar të paktën pesë komplote ruse për ta vrarë atë.

SBU-ja tha se grupi spiun planifikoi gjithashtu të vriste kreun e kësaj agjencie, Vasyl Maliuk dhe kreun e agjencisë së zbulimit ushtarak, Kyrylo Budanov.

Go to TOP