Xhaçka: Të hiqet njolla e turpit nga lufta heroike e Kosovës

`Moment historik`, e ka konsideruar Olta Xhaçka takimin që u zhvillua të martën (4 prill) mes Ministrave të Jashtëm në NATO, me zgjerimin e Aleancës me anëtaren më të re, Finlandën.

Xhaçka e cilësoi anëtarësimin e Finlandës në NATO si një mesazh të fortë ndaj Rusisë dhe agresionit të paligjshëm të saj në Ukrainë.

Bashkëpunimi NATO-BE, kërcënimet që prekin sigurinë e zonës Euro-Atlantike dhe mbështetja për Ukrainën, ishte në fokus të këtij takimi.

Nga ana e saj, ministrja bën me dije, se ka vënë theksin te rëndësia e bashkëpunimit BE-NATO, veçanërisht në rajon, ndërsa ka vlerësuar ndër të tjera dhe arritjen e marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës dhe Serbinë falë dhe ndërmjetësimit ndërkombëtar.

“Lufta e Kosovës për pavarësi nuk mund të rishkruhet. Ne respektojmë parimin e barazisë para ligjit dhe gjykatën që është krijuar me vendim të Kuvendit të Kosovës, por duke patur parasysh akuzat që i hapën rrugë kësaj gjykate speciale me vullnetin e atyre që sot janë marrë të pandehur për ta pastruar Kosovën nga kjo njollë. Ajo që po ndodh prej më shumë se dy vjetësh është e dëmshme.  Duket qartë që nuk ka prova që UÇK ka kryer krime lufte dhe që udhëheqësit dhe komandanti i një lëvizjeje për çlirim nga shtypja dhe mbrojtja nga spastrimi etnik, akuzohen padrejtësisht si kriminelë lufte”, tha Xhaçka, teksa kërkoi drejtësi. Ministrja u shpreh se duhet të hiqet njolla e padrejtë e turpit nga lufta heroike e Kosovës për pavarësi.

Sipas saj, për krimet e regjimit të Millosheviçit, duhet drejtësi e vërtetë, duke përfshirë edhe zbulimin e vendndodhjes së vendeve të varrimit.

“Kjo është pjesë e angazhimeve të dialogut Kosovë-Serbi të cilat duhen zbatuar tërësisht, në mënyrë që të lemë pas të kaluarën tragjike dhe të shohim nga e ardhmja e përbashkët evropiane”, shtoi ajo.

Më tej, Ministrja garantoi se Shqipëria po bën përpjekje këmbëngulëse që drejtësia të vihet në vend.

“Dhomat e specializuara për Kosovën u ngritën pas Rezolutës së vitit 2011 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila siç e përmenda përfshiu akuzat e pambështetura në asnjë fakt e në asnjë provë të një reporteri të Këshillit të Evropës, për trafikun e organeve njerëzore”, theksoi ajo teksa risolli në vëmendje rezolutën e miratuar një vit më parë nga Kuvendi, ku pretendimet për trafik organesh njerëzore gjatë luftës konsideroheshin të pabaza. Xhaçka tha se deputetët që janë pjesë e delegacionit shqiptar në Asamblenë e Përgjithshme të KE-së, kanë mbledhur të gjitha firmat për një rezolutë të re, mbi rezolutën e 2011-ës.

 Xhaçka garantoi se “Përpjekjet tona nuk do të rreshtin deri sa kjo rezolutë e re të miratohet dhe lufta heroike për çlirimin e Kosovës të pastrohet nga kjo njollë e turpshme”.

Go to TOP