Wadephul nga Tirana: Integrimi në BE kërkon rezultate, jo vetëm mbështetje

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, gjatë vizitës zyrtare në Tiranë theksoi se Berlini mbetet i angazhuar në mbështetjen e procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor, por nënvizoi se ritmi i avancimit varet nga puna që kryejnë vetë shtetet kandidate.

“Ne japim mbështetjen tonë, por në fund vlerësohet nëse është bërë gjithçka që kërkohet,” deklaroi Wadephul, duke rikujtuar se integrimi në BE lidhet ngushtë me përmbushjen e standardeve të caktuara.

Ai veçoi forcimin e shtetit ligjor, si dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si fusha ku sipas tij nevojitet angazhim më i thelluar.

“E theksova çështjen e shtetit ligjor, betejën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sepse pikërisht këtu duhet përqendruar më shumë puna. Por edhe aspektet e tjera, si ndërtimi i një ekonomie konkurruese, janë pjesë e procesit. Nëse këto objektiva përmbushen, çdo vend i rajonit do të ketë Gjermaninë krah vetes,” u shpreh ministri, duke shtuar se shtetet kandidate duhet të prodhojnë rezultatet.

Në vijim, Wadephul foli edhe për takimin me drejtues të SPAK-ut, të cilin e konsideroi të rëndësishëm për panoramën e drejtësisë në vend.

“Sistemi i drejtësisë duhet të funksionojë pa asnjë ndikim. Kjo ishte edhe tema kryesore e bisedës me SPAK. Shpreha vlerësimin tim për punën e deritanishme, por puna duhet të vazhdojë,” theksoi ai.


Go to TOP