Vlerësimet e gabuara të ndërmjetësit Lajçak që nuk i ndihmojnë normalizimit të raporteve midis Serbisë dhe Kosovës

Shkruan: Ilir KRASNIQI

Përfaqësuesi special i BE për dialog Miroslav Lajçak ka humbur sensin logjik dhe diplomatik në konstatimet e tij rreth marrëveshjes eventuale midis Serbisë dhe Kosovës. Në një deklaratë ai tha se pranimi i propozimit të BE për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës do të zvogëlonte hapësirën e Rusisë për involvim në ngjarjet në rajon dhe krijimin e kaosit. Por çfarë mund të jetë më e rëndësishme kjo marrëveshje se sa harmonizimi i politikës së jashtme të Serbisë me atë të BE nëse flasim për ngushtimin e hapësirës manovruese të Rusisë në rajon? Pse duhet konsideruar raportet ndërmjet dy vendeve problem kyç për tërë rajonin, që bllokon normalizimin e Ballkanit perëndimor, lirin e lëvizjes.  Pse duhet të jetë më e rëndësishme se sa ta zëmë raporti i Serbisë që ka me BH, Mali i Zi. Normalizimi i raporteve midis Serbisë dhe Kosovës as nuk e minimizon hapësirën e Rusisë për involvim, as nuk ndikon në raportet e Serbisë me vendet e tjera fqinjë me të cilat ka një rol destruktiv. Kosova ka një orientim të çimentuar drejt integrimit në strukturat euroatlantike pavarësisht kostos dhe me asnjë vend fqinjë nuk ka ndonjë problem që do ta mbante të “ndezur”, rajonin. Këtë me siguri e di edhe ish krye diplomati sllovak Lajçak , vendi i së cilit bashkërisht me Çekin janë shembuj të një ndarje paqësore që dikur ishin nën një kulm. Logjika e ndjekur nga Lajcak e vendos Kosovën në një pozicion paragjykues të rëndë, nëse kundërshton marrëveshjen e cila ka mjaft të meta dhe mungesë garancish të sovranitetit të saj. Me një fjalë Kosova del që i krijon “hapësirë”  Rusisë për involvim në rajon!. Pikërisht është Serbia ajo që mban dhe i vetmi vend që mund ti krijoj hapësirë Rusë në çdo aspekt.

Është e qartë që propozimi në përmbajtje nën siglën e Brukselit, Marrëveshja e normalizimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është një marrëveshje-kontratë ligjore dhe si e tillë afirmon aftësinë tonë për të lidhur marrëveshje ndërkombëtare që është një nga tre atributet kryesore të jashtëm të shtetit, respektivisht pavarësisë.

Megjithatë nën salcën e “normalizimit të raporteve” me shumë kushtëzime vendi është vënë në një situatë mjaft delikate. Padyshim i ashtuquajturi Plani gjermano-francez përfshin dy kapituj kyç: vendin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe organizatat e tjera ndërkombëtare dhe krijimin e një bashkësie të komunave serbe si një lloj zone autonome në veri të Kosovës.

A do të vëzhgojë heshturazi Kosova realizimin e planeve të ‘90 që Serbia nuk i ka realizuar me luftë? Akëcili prej nesh do ti kujtohet koha kur regjimi i Milosheviqit filloi të ndërtonte rrugë të reja të lidhte fshatrat me qytetet që sot janë përfshirë në planin e AKS! Dhe ky ishte një paralajmërim i një ndarjeje që edhe publikisht ishte diskutuar asokohe në qarqet e ndryshme në Beograd. Dhe me të drejte në një publikim të kohë më parë në një media të Sarajevës shtrohej pyetja nëse perëndimi është aq naive të bie në grackën e premtimeve të Vucicit, ku me vite i kishte besuar gënjeshtrave të Milosheviqit.

Çfarë fitojnë më shumë serbët me AKS në të cilën insiston dhe kushtëzon Serbia, se sa të drejtat e garantuara dhe privilegjet që gëzojnë me kushtetutën e Kosovës, ku diplomat të jashtëm përsërisin referenin se me AKS nuk do të cenohet sovraniteti i Kosovës. Nëse qëndron kështu pse atëherë shpërfillet kërkesa e për njohje reciproke dhe marrjen e përgjegjësisë për krijimin e këtij asociacioni?

Aq më i rëndë bëhet ky proces të cilën edhe vetë diplomatë perëndimor e kanë pranuar që absolutisht nuk ka garanci që në fund të dialogut respektivisht firmosjes së marrëveshjes së Brukselit Kosova të njihet nga pesë vendet e BE, e lëre me anëtarësimin në OKB.

Kur i referohemi dokumenteve zyrtare, janë juristët ata që më së shumti analizojnë nisur nga sentenca -dreqi ndodhet në detaje. Andaj duhet me kujdes pala kosovare të analizojë të gjitha, sidomos formimin e AKS në të cilën presidenti i Serbisë Vucici kërkon të bëhet para hyrjes në marrëveshje në të cilën nuk kërkohet njohja reciproke!.  Shembulli i republika srpska është model ku forca e saj është aq e stërmadhe ku kërcënon integritetit e BH. Nisur nga ky fakt krijimi i asociacioni pa garanci të forta mbetet diskutabil për shumë kë, pasi deshëm apo jo, do të përfaqësonte një gjendje të ngrirë konflikti, e cila mund të përshkallëzohet herë pas here sa herë që pala e kundërt gjen një “arsye” politike ose ndonjë arsye tjetër për ta bërë këtë. Me fjalë të tjera, kjo zgjidhje nuk zgjidh asgjë. Pikërisht përmes konflikteve të ngrira synimi i Serbisë dhe miqve të saj është të parandalojë anëtarësimin e vendeve të ndryshme në NATO. Qeveria e Serbisë e do Asociacionin, më pas një autonomi për veriun , dhe statusin e të gjitha kishave ortodokse të Kosovës . Nuk duhet harruar që qysh vitin e kaluar Kremlini kishte dërguar të gjitha instruksionet lidhur me Kosovës përmes ambasadorit rus në Beograd Aleksandru Bocan-Harcenko.

Për të parë lojën e vërtet të Vucicit mjafton ti referohemi deklaratës së Andrey Kortunov Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar i RIAC, (Këshillit për politik të jashtme) i cili kishte thënë se në këtë situatë Rusia do ta mbështesë pa mëdyshje qëndrimin e Serbisë. “Mund të supozohet se nëse, për shembull, disa rezoluta anti-serbe paraqiten në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, atëherë Rusia me shumë gjasa do të vërë veton ndaj tyre, domethënë do të ofrojë mbështetje diplomatike për Beogradin,” përfundoi Kortunov. Pra edhe nëse Serbia aplikon ndonjë sanksion ndaj Rusisë kjo e fundit nuk do të ndryshojë qëndrimin karshi Kosovës në KS të OKB. Serbia ka dëshmuar se nuk dëshiron të jetë në një paralele të lidhur me Ukrainën në kuptimin e arkitekturës së sigurisë evropiane. Në këtë kuptim Kosova nuk ka nevojë të lidhë fatin e vet nën diktate me marshin e pestë sepse një gabim fatal që mund të jetë për vendin asnjë diplomat nuk do të përgjigjet për vlerësimet dhe mbështetje të politikanëve që janë nën kontrollin apo të afërt me Kremlinin se sa perëndimin.

Go to TOP