VV në Ferizaj kundërshton vendimin e Komunës për parcelat

Në Ferizaj, Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar publikimin e listave të Komunës për parcelat që jepen në shfrytëzim, e veçanërisht ato afër spitalit. Megjithatë, zyrtarët komunalë kanë thënë se janë të obliguar t’i publikojnë këto lista.

Publikimi i listës së pronave komunale të Ferizajt për dhënie në shfrytëzim, e sidomos i parcelave përreth spitalit të ri, po kundërshtohet nga opozita në këtë komunë.

Shefi i grupit të këshilltarëve të LVV-së në Kuvendin Komunal të Ferizajt, Brahim Osmani, thotë se këto hapësira duhet t’i takojnë spitalit, në mënyrë që të jenë në shërbim të qytetarëve.

“Si grup parlamentar i LVV-së, është e papranueshme, për shkak se Spitali i Ferizajt mund të mbetet dhe të rrezikohet pa hapësira të cilat i nevojiten për parking dhe për personelin shëndetësor. Pra, ne e kemi kundërshtuar për shkak se në oborrin e spitalit po synohet të jepen prona në shfrytëzim pa diskutim, dhe po thirren në Planin Zhvillimor Komunal, të cilin Ferizaj nuk e ka fare. Kemi bërë ankesa në Ministrinë e Pushtetit Lokal, sepse besojmë që nuk ka ligjshmëri dhe nuk vlen kjo. Po ashtu jemi në diskutim me Ministrinë, dhe besojmë që këto hapësira do të ishin më të mira nëse do t’i shërbenin Spitalit të Ferizajt”, tha Brahim Osmani nga LVV.

Lidhur me këtë çështje, në komunë thonë se publikimi i listave është obligim ligjor.

“Jemi të obliguar që në fund të çdo viti të bëjmë listën e të gjitha parcelave që i kemi në dispozicion, në pajtim me Planin Zhvillimor Komunal. Por duhet saktësuar se asnjë pronë nuk jepet pa vendim të Kuvendit Komunal, kjo është e rregulluar me ligj dhe nuk ka kurrfarë dileme. Parcelat që janë aty, sigurisht që me Planin Zhvillimor Komunal janë në harmoni me idenë që spitali të jetë aty”, tha Lulzim Aliu, nënkryetar i Ferizajt.

Në seancën e fundit të Kuvendit Komunal të Ferizajt është miratuar lista e 53 pronave për dhënie në shfrytëzim, të cilave u dihet destinimi.


Go to TOP