Vuçiq i përgjigjet Cameronit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se është i zhgënjyer me deklaratat e sekretarit të Jashtëm Britanik, David Cameron, që u shpreh se Perëndimi duhet të shprehë më qartë qëndrimin zhgënjyes ndaj Serbisë për rastin e Banjskës më 24 shtator.

Në një deklaratë para gazetarëve të mërkurën, Vuçiqi ka thënë se Serbia nuk është satelit i Rusisë.

“Ka shumë fjalë kinse ne do të destabilizojmë rajonin. Mua më duket se shumë të tjerë po punojnë për këtë me ndihmën e përzemërt të atyre faktorëve që po na japin leksione. Ju shqetësoni shumë njerëz kur dëshironi ta keni politikën tuaj, nuk jeni të dëgjueshëm dhe ne do të vazhdojmë të kemi politikë të pavarur sa i përket si çështjes së Rusisë, ashtu edhe të tjerave”, ka thënë Vuçiq.

Cameron vizitoi Kosovën më 4 janar të këtij viti. Nga Prishtina, ai përsëriti se siguria e Ballkanit është interes nacional i Britanisë së Madhe.

Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme të martën, Cameronit iu parashtruan disa pyetje për situatën në Kosovë nga deputetja Alicia Kearns.

Ministri britanik ka thënë se zhgënjim për Serbinë ka edhe në Bashkimin Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Go to TOP