Vuçiq bën thirrje për dialog serbo-boshnjak

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar një dialog me liderët e Bosnje dhe Hercegovinës, disa ditë pas rritjes së mosmarrëveshjeve mes entiteteve të këtij vendi.

Vuçiq tha se e konsideronte “shumë të rëndësishme hapjen e një dialogu serbo-boshnjak, për të folur për njëri-tjetrin me më shumë respekt, për t’u kujdesur për njëri-tjetrin dhe për të parë se cilat janë interesat e ndërsjella”.

Ai tha se me 23 tetor do të takohet me anëtarin e presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës, Millorad Dodik dhe në javët në vijim me kryetarin e Partisë së Veprimit Demokratik, Bakir Izetbegoviq. Kjo është partia më e madhe e boshnjakëve.

Asambleja Kombëtare e Republika Sërpskas në Bosnje dhe Hercegovinë miratoi të mërkurën një ligj për produktet dhe pajisjet mjekësore. Sipas ligjit, Agjencia do të jetë “organizatë e pavarur administrative, dhe do të ketë statusin e një entiteti juridik”.

Krijimi i një agjencie të tillë nuk është në përputhje me Kushtetutën e Bosnjës dhe Hercegovinës, e cila ka dalë nga Marrëveshja e Dejtonit.

Ambasada Amerikane në Bosnjë dhe Hercegovinë tha në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë se “Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të përdorin të gjitha sanksionet që kanë në dispozicion, kundër atyre që dëmtojnë ose që lehtësojnë minimin e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit”.

I pyetur për sanksionet e mundshme të ShBA-së, Vuçiq tha se ai është gjithmonë kundër.

“Historia ka treguar se askush nuk e ka zgjidhur asnjë problem përmes sanksioneve. Të bisedosh është metoda më e mirë për zgjidhjen e problemeve”, tha ai.

Ambasada amerikane ka thënë se masat e mundshme amerikane nuk janë zëvendësim për përgjegjësinë që kanë të gjithë krerët e Bosnjës dhe Hercegovinës, për të refuzuar veprimet destabilizuese, dhe që në vend të kësaj të punojnë përmes institucioneve për të përmirësuar funksionalitetin.

Si shtet, Bosnja dhe Hercegovina përbëhet nga dy entitete të formuara pas luftës së viteve 1992-95 – nga Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës, e banuar kryesisht nga myslimanë dhe kroatë, dhe nga Republika Sërpska, e banuar kryesisht nga serbë të Bosnjës.

Kushtetuta e këtij vendi buron nga Marrëveshja e Paqes e Dejtonit, e cila i dha fund luftës. Ajo ndalon cilindo nga dy entitetet e vendit që të krijojë një agjenci që minon punën e organeve federale.

Go to TOP