Vrasja e vitit të kaluar në Dragodan, dëshmitari thotë se kur të akuzuarit dhe i ndjeri kishin dalë jashtë ka dëgjuar një krismë

Dëshmitari Mehdi Osmani gjatë dhënies së dëshminë e tij për rastin e vrasjes në Dragodan, tha se pasi që kishin dalë jashtë të akuzuarit Avni dhe Mustafë Mustafa dhe tani i ndjeri R.T., kishte dëgjuar krismë.

Në këtë rast Avni Mustafa akuzohet për vrasjen e R.T në Dragodan dhe për armëmbajtje pa leje, kurse Mustafë Mustafa po akuzohet për pjesëmarrje në rrahje dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa Leutrim Mustafa po akuzohet për manipulim me prova.

“Tani kanë dal jashtë, unë e kom ni ni krismë jashtë që ka kris edhe këta i kanë qeru hesapet jashtë, Rexha me Avniun edhe Mustafen”, tha dëshmitari Osmani.

Ai më pas tha se kur kishte dalë jashtë kishte ardhur ambulanca dhe më pas ai e kishte pyetur mjekun rreth gjendjes së të ndjeri R.T, më pas mjeku i kishte thënë se ai kishte ndërruar jetë

I njëjti tha se i vinte keq që i ndjeri R.T nuk ishte në mesin e tyre dhe se me të kishin pasur raporte të mira familjarisht, duke shtuar se të akuzuarit Avni dhe Mustafë nuk i njihte, por që babin e tyre e kishte njohur.

Dëshmitarit Osmani tha se në tavolinë ishin ulur ai së bashku me Xheladin Osmanin, të ndjerin R.T dhe të akuzuarin Mustafë, dhe më pas kishte ardhur edhe i akuzuari Avni, dhe se të njëjtit kishin biseduar mes vete lidhur me dy banesa ku dëshmitari tha se nuk e dinte çështjen pasi që nuk i kishte interesuar.

Ndër të tjera ai shtoi se i ndjeri R.T me të akuzuarit Mustafa kishin miqësi mes vete dhe se ai u kishte thënë merruni vesh me qetësi pasi që njiheni, por më pas sipas tij i ndjeri kishte thënë që nuk mund të merremi vesh dhe ishin ngritur nga tavolina.

Ai tha se tani i ndjeri R.T dhe i akuzuarit Avni dhe Mustafë ishin të tensionuar dhe prandaj kishte ardhur deri te mosmarrëveshja.

Po ashtu dëshmitari Osmani tha se kishte tentuar ta ndalonte tani të ndjerin R.T. por që nuk kishte mundur pasi që ai ishte më i fortë dhe që personi tjetër që kishte qenë me të nuk i kishte ndihmuar ta ndalonte sepse nëse do ti kishte ndihmuar ata do ta ndalonin.

I njëjti po ashtu shtoi se paraprakisht i ndjeri R.T kishte kërkuar nga të akuzuarit Avni dhe Mustafë dy banesa pasi që sipas tij, i kishte blerë nga ata.

Tutje, dëshmitari Osmani tha se ditën kritike nuk kishe parë as thikë e as armë zjarri, duke shtuar se deklarata e dhënë në polici nga ai ishte e vërtetë.

Paraprakisht, në këtë seancë u dha fjala hyrëse nga prokurorja Fatmire Cacaj, e cila tha se provat që ishin pjesë e shkresave të lëndës ishin të ligjshme dhe të mjaftueshme për të vërtetuar dyshimin e bazuar mirë që të akuzuarit Mustafa kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.

Sipas tij, pas administrimit të provave të propozuara në aktakuzë do të vërtetohet se të akuzuarit i kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen dhe se të njëjtit do të shpallen fajtor.

Ndërsa, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Ramdan Tahirit, avokati Ndrec Dodaj në fjalën e tij hyrëse tha se qëndrojnë pranë kërkesës pasurore-juridike të cilën do ta precizojnë para përfundimit të këtij shqyrtimi gjyqësor, duke shtuar se e mbështeste fjalën hyrëse të prokurores Cacaj.

Sipas avokatit Dodaj do të vërtetohet fakti tjetër se qëllimi i takimit mes të ndjerit dhe të akuzuarve Mustafa kishte qenë lidhur me banesa e jo për fajde siç pretendohet nga ana e mbrojtjes së të akuzuarve.

Ndër të tjera i njëjti tha se në këtë rast kishin të bënin me vrasje të rëndë e jo vrasje siç ishte cilësuar vepra në aktakuzë.

Në anën tjetër edhe mbrojtësi i të akuzuarit Avni, avokati Besnik Berisha tha se kjo çështje penale nuk do të ishte e vështirë për tu gjykuar pasi që kishte pamje filmike që dëshmonin se në ditën kritike i ndjeri R.T kishte tentuar të ua merrte jetën të akuzuarve Avni dhe Mustafë Mustafës të cilët ishin vëllezër.

Sipas avokatit Berisha, kjo ngjarje ndodhi për shkak të fajdeve ku i ndjeri në emër të fajdesë kishte kërkuar dy banesa, ku pasi që të akuzuarit kishin refuzuar për të ia dhënë i njëjti iu kishte thënë që ai do t’i bënte “shoshë”.

Po ashtu në këtë seancë u shikuan edhe video-incizimet e momentit kritik të cilat i përshkroi avokati Berisha, e që sipas tij, në ato video shihej gjithçka dhe se i ndjeri R.T kishte tentuar të ua merrte jetën të akuzuarve Avni dhe Mustafë.

“Ky ishte momentumi, ky ishte sulmi real i aty qasshëm i kundërligjshëm për jetën e Avni Mustafës e Mustafë Mustafës. Thika ishte mjeti me të cilin u tentua tu mirret jeta dy vëllezërve Mustafa që tani ishin në dalje të hotelit duke provuar t’i ikin të keqes”, tha avokati Berisha.

Avokati Berisha tha se në fund presin aktgjykim dënues për veprën penale të armëmbajtjes, ndërsa aktgjykim lirues për veprën penale të vrasjes ndaj të akuzuarit Avni.

Tutje, fjala hyrëse u paraqit edhe nga mbrojtësi i të akuzuarit Mustafë, avokati Skender Musa i cili tha se e përkrahte në tërësi deklarimin e avokatit Berisha, duke shtuar se sa i përket të mbrojturit të tij prokuroria shtetit kishte zbatuar gabimisht dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.

Ai tha se në këtë proces gjyqësor do të vërtetohet se dispozitat ligjore ishin shkelur gjatë hartimit të aktakuzës, duke shtuar se i akuzuari Mustafa në këtë rast e ka larguar sulmuesin që ta vras vëllain e tij Avniun të akuzuar në këtë rast.

Seanca e sotme u ndërpre pas përfundimit të orarit të rregullt dhe e radhës pritet të vazhdojë në një datë tjetër.

Më 26 tetor 2023 u mbajt seanca fillestare në këtë rast e kryesuar nga gjykatësi Ngadhnjim Arrni i cili është avancuar në Departamentin Special.

Sipas aktakuzës së ngritur me 11 tetor 2023 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë i akuzuari Avni Mustafa me datë 19 mars 2023 rreth orës 13.20 në afërsi të hotelit “Adria” në Prishtine për shkak të një konflikti pronësor që dyshohet të jetë fajde e ka privuar nga jeta të ndjerin R.T duke e goditur një herë me revole në regjionin e gjoksit.

I akuzuari Mustafë Mustafa në kohën dhe vendin e njëjtë akuzohet për veprën “pjesë marrje në rrahje” dhe “ mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndërkaq i akuzuari Leutrim Mustafa akuzohet për veprën penale “manipulim me prova” pasi që në aktakuzë thuhet se ka pranuar nga Mustafë Mustafa çantën e tani të pandehurit Avni Mustafa në të cilën ishte revolja e tipit “Zastaava” me të cilën ishte kryer vepra penale dhe të njëjtën e kishe fshehur në zyrën e tij.

Go to TOP