Vozitja e pamatur bart shumë dëme, paralajmëron aktorja Yeoh në vizitën e saj në Bruksel
Aktorja malajziase, Michelle Yeoh solli fuqinë e saj prej ylli në Bruksel për të rritur ndërgjegjësimin për rreziqet e vozitjes së pakujdesshme.
Kjo paraqitje e saj ishte pjesë e një fushate globale të nisur nga Kombet e Bashkuara të mërkurën pasdite në selinë e Komisionit Evropian.
“Siguria rrugore është një çështje që shpesh fluturon nën radar, por ndikimi i saj është tronditës. Përplasjet e trafikut rrugor marrin një jetë çdo 24 sekonda dhe shumë më tepër plagosen rëndë. Ato janë shkaku kryesor i vdekjeve për fëmijët dhe të rinjtë e moshës 5 deri në 29 vjeç”, tha Yeoh gjatë prezantimit.
“Përveç numrit të paimagjinueshëm të tragjedisë njerëzore, dëmi ekonomik është gjithashtu i madh. Kur aksidentet rrugore u kushtojnë ekonomive kolektivisht rreth 1.7 trilion dollarë çdo vit. Si mund të pretendoj se nuk i shoh këto statistika?”, shtoi ajo.
Yeoh, e cila ka shërbyer si ambasadore e vullnetit të mirë të Kombeve të Bashkuara për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm që nga viti 2016, tha se rregulla të thjeshta, të tilla si respektimi i kufijve të shpejtësisë dhe ngasja me maturi, ishin “më të fuqishme nga sa mendojnë shumica e njerëzve”.
“Vendosja e rripit të sigurimit për shoferët dhe pasagjerët e ulëseve të përparme ul rrezikun e vdekjes me 45% deri në 50%. Vetëm mendoni për këtë për një moment. Një shans 50% më shumë për të qëndruar gjallë. Kush nuk do të shkonte për këtë?”, u tha gazetarëve fituesja e çmimit “Oscar”.
Sipas OBSh-së, aksidentet e trafikut rrugor vrasin 1.35 milion njerëz në mbarë botën çdo vit dhe janë shkaku kryesor i vdekjeve për njerëzit e moshës 5 deri në 29 vjeç, me burrat që përfaqësojnë tre të katërtat e lëndimeve fatale, shkruan “euronews”.
