Von Cramon bën thirrje për largimin e barrikadave në veri

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se rikthimi i paqes dhe stabilitetit në veri të Kosovës, duhet të jenë prioritet.

“Sidomos, sulmet ndaj misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX, janë plotësisht të papranueshme”, ka thënë ajo përmes një postimi në Twitter.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur më 11 dhjetor se misioni i BE-së në Kosovë, ka raportuar që është sulmuar me shok bombë në fshatin Rudarë të Zveçanit.

Ajo i ka quajtur të papranueshme edhe njoftimet e autoriteteve të Serbisë se do të bëjnë kërkesë te misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, për angazhim të trupave në Kosovë.

Von Cramon ka thënë se pret që të largohen barrikadat e krijuara nga serbët lokalë të Kosovës, si shenjë e uljes së tensioneve.

“Mbështes plotësisht dialogun e përkrahur nga Bashkimi Evropian”, ka thënë mes tjerash ajo.

Go to TOP