Vlerat e manganit ende të larta, Ujësjellësi furnizon qytetarët me autobote

IKShPK ka bërë të ditur se uji që vjen nga Liqeni i Badocit është ende i papijshëm. Gjatë analizave të kryera gjatë ditëve të fundjavës, sipas institutit, vërehen ulje e vlerave të manganit. Megjithatë, këto vlera ende janë më të larta sesa vlerat e lejuara, ndaj rekomandohet që uji të mos përdoret për pije. Derisa vlerat të jenë normale, Kompania e Ujësjellësit “Prishtina”, po vazhdon të shpërndaj ujë të pijshëm për qytetarët përmes autoboteve.

Pas vlerave të larta të manganit në ujin që vjen nga Liqeni i Badocit, shumë autobote u vendosën nëpër lagje të ndryshme të Prishtinës.

Një nga qytetarët që u pa teksa po furnizohej me ujë të pijshëm, është edhe Mejreme Javori.

“Kanë lajmëru që uji nuk pihet. Ne nuk po e përdorim për pije, vetëm për pastrim. Falëmnderoj që kanë sjellë këtë mundësi për me u furnizu me ujë”, tha ajo.

Zëdhënësja e Ujësjellësit “Prishtina”, Arjeta Mjeku tha se i kanë ndërmarrë të gjitha masat për furnizim me ujë të pastër për qytetarët që furnizohen me ujë nga Liqeni i Badocit.

“Duke pasur parasysh rezultatet dhe rekomandimet nga IKShPK, ne kemi marrë gjtiha masat sikurse: zbatimi i procedurave standarde për situatën e krijuar në të gjitha fazat e trajtimit të ujit, shpërlarja e rrjetit shpërndarës, po sigurojmë ujë për pije për qytetarët nëpër lagje si në Veternik, Hajvalli dhe zona tjera nga ku furnizohen përmes Liqenit të Badocit”, deklaroi Mjeku.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka vazhduar monitorimin e ujit për pije të Ujësjellësit Rajonal KRU “Prishtina” që vjen nga Liqeni i Badocit, pas rishfaqjes së vlerave të larta të manganit javën që shkoi.

Sipas Institutit, gjatë analizave të kryera gjatë ditëve të vikendit, vërehet ulje e vlerave të manganit.

Megjithatë, këto vlera ende janë më të larta se vlerat e lejuara. Ndaj ky institut kanë dhënë rekomandim edhe me tej që uji që vjen nga ky liqen të mos konsumohet për pije dhe të përdoret si ujë teknik për higjienë personale dhe ambientale.

Bazuar në të dhënat e deritashme, paraqitja e “fenomenit” të manganit në Liqenin e Badocit është dukuri e vazhdueshme, e cila ndodh kryesisht në kohën e ndërrimit të stinëve.

Go to TOP