Vizita e amerikanëve në Kosovë, analistët: Kosova e Serbia duhet të lëvizin më shpejt me marrëveshjen finale

“Është urgjente që Kosova dhe Serbia të ri-angazhohen në dialog”. Ky ishte mesazhi i ditëve të fundit nga vizitat e zyrtarëve amerikan (ShBA), që  për njohësit e politikës është duke u vlerësuar si i duhuri me qëllim që të arrihet marrëveshja përfundimtare mes dy palëve, në Bruksel.

Sipas tyre, Kosova edhe Serbia duhet të lëvizin para me një marrëveshje dhe dialogu duhet të jetë prioritet për institucionet e vendit, sidomos tash kur situata në Ukrainë ka eskaluar pas agresionit rus.

Analisti politik, Imer Mushkolaj ka thënë se mesazhi kryesor për qeverinë është që dialogu të merret si prioritet i rëndësishëm. “Kosova të jetë e gatshme për vazhdimin e dialogut”.

Sipas tij, amerikanët janë kundër status quo-s, pasi siç tha ai kjo i shërben vetëm Rusisë, dhe se mesazhin amerikan e ka kuptuar si më të fortin që është dhënë ndonjëherë.

“Siç u tha edhe nga vizita e delegacionit, ky dialog duhet të përfundoj me njohje të ndërsjellë dhe ata janë kundër status quo-s. Në fakt mesazhin amerikan e kam kuptuar si më të fortin ndonjëherë për shkak se status quo i shërben vetëm Rusisë, ose është në funksion të Rusisë e kjo do duhej të ishte një alarm për Qeverinë e Republikës së Kosovës, që sa më parë të shpreh gatishmërinë dhe të vazhdojë dialogun me Serbinë, në mënyrë që të çështjet e hapur të mbyllen sa më shpejt. Besoj që Qeveria duhet ta shfrytëzoj këtë momentum të këtij kujdesi amerikan ndaj Kosovës, në mënyrë që problemi të zgjidhet dhe çdo gjë të mbaroj me njohje të ndërsjellë. Çdo arritje e kësaj çështje vetëm se sa do ta dëmtojë Kosovën dhe situata do të bëhet më e paqartë”, ka thënë Mushkolaj.

E që sipas tij, nëse nuk ka marrëveshje finale me Serbinë, Kosova do të vazhdojë të jetë e cenuar.

“Nëse nuk ka një marrëveshje me Serbinë, shteti i Kosovës do të vazhdojë të jetë i cenuar, do të vazhdojë të ketë provokime të cilat mund të kenë edhe pasoja, dhe situata e sigurisë në këtë rast nuk mund të konsiderohet të jetë e qetë. Në njëfarë forme nëse nuk arrihet marrëveshja situata e sigurisë së Kosovës do të cenohet dhe këtë nuk e dëshiron Amerika pasi ata duan që çështja të mbyllet më shpejt dhe të bëhet fjalë për një Ballkan të sigurt, ku vend të rëndësishëm në sigurinë e Ballkanit luan dhe Kosova”, ka thënë Mushkolaj.

Edhe Arton Demhasaj nga organizata “Çohu” u shpreh se interesimi i amerikanëve është që të kryhet dialogu dhe të arrihet marrëveshja sa më shpejt.

“Mendoj që interesimi i amerikanëve është që të kryhet dialogu dhe të arrihet marrëveshja sa më shpejt.  Ata që vijnë, vinë në kuadër të kësaj që të bëjnë një lloj presioni për të arrit kompromis mes dy palëve në dialog. Pikë kyçe këto vizita e kanë çështjen e dialogut”, tha ai.

Demhasaj theksoi se mund të ketë indikacione që perëndimi është i interesuar ta tërheq Serbinë drejt perëndimit, e cila siç tha ai do të nënkuptonte edhe “vdekje të ndikimit rus në Ballkan”.

“Nuk besoj që ka tendenca të destabilizimit pasi Serbi del e humbur nga kjo. SHBA-të janë të interesuara që të zgjidhet problemi mes Kosovës dhe Serbisë dhe kjo të bëhet përmes një marrëveshje e që në një farë mënyrë mund të ketë indikacione që perëndimi është i interesuar ta tërheq Serbinë nga perëndimi dhe mos ta lejoj të rrëshqas nga Rusia dhe kjo nënkuptohet si ‘vdekje e ndikimit rus në Ballkan, pasi ndikimi i saj ka qenë përmes Serbisë’. Zgjidhja mes Kosovës dhe Serbisë do t’i hapë rrugë euro-integrimeve për Kosovën gjithashtu dhe për Serbinë”.

Ndërsa, sipas njohësit të çështjeve politike, Emir Abrashi, vizitat e fundit të zyrtarëve amerikan në Prishtinë e rajon nuk janë të rastësishme pasi procesi i dialogut Kosovë-Serbi, duhet të shkoj drejt përfundimit.

“Procesi i dialogut nuk mund të zgjasë pafundësisht. Edhe këtij procesi duhet t’i jepet një epilog. Rëndësinë e një epilogu për këtë proces e rritë edhe më tej situata në Ukrainë, gjë që për aleatët tanë në Shtetet e Bashkuara dhe Bashkim Evropian e bën edhe më të ngutshëm gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare në Ballkan. Administrata Biden përfundimin e procesit të dialogut me njohje të ndërsjellë e ka kërkuar qysh prej se kur ka ardhur në pushtet. Presidenti Biden e ka kërkuar edhe në mënyrë eksplicite në letrat e tij drejtuar krerëve të të dyja vendeve që Kosova dhe Serbia duhet ta njohin njëra-tjetrën. Prandaj, edhe nuk është rastësi përzgjedhja e Jeff Hovenier në Prishtinë e Chris Hill në Beograd. E nuk janë të rastësishme edhe vizitat e fundit të zyrtarëve amerikan në Prishtinë e rajon. Ky proces duhet të shkoj drejt përfundimit”, ka thënë ai.

Abrashi tutje shtoi se Kosova nuk e ka luksin që të bëhet palë destruktive në këtë proces.

“Ne duhet që të fillojmë një koordinim të mirë fillimisht brenda vendit: pozitë, opozitë e shoqëri civile, e më pas edhe një koordinim të mirë edhe me vetë aleatët tanë në Uashington, Bruksel, Londër, Paris, Berlin e gjetiu. Kjo duhet të pasohet edhe nga një fushatë lobimi, në mënyrë që në fund, Kosova të gëzoj mbështetje për të nxjerrë më të mirën e mundshme nga ky dialog”, vlerësoi ai.

Nëse Kosova nuk merr iniciativë për ta dërguar këtë proces drejtë përfundimit dhe nuk tregohet bashkëpunuese me aleatët në Uashington e Bruksel, sipas Abrashit izolimi i vendit do të vazhdojë edhe më tutje.

“Lidershipi ynë do të duhet të pres ceremoni varrimi për të siguruar një foto me zyrtarë të lartë amerikanë, siç ishte edhe rasti me ceremoninë e varrimit të Sekretares Albright. E, Kosova jo gjithmonë ka qenë kaq e izoluar tek vetë aleati ynë më i madh i saj, SHBA-ja, falë së cilës e gëzojmë edhe lirinë e edhe shtetësinë! Prandaj, duhet reflektim, dhe ndryshim kursi. Kursi aktual nuk e ka një përfundim të mirë, sado që dikush të mundohet ta zbusë këtë realitet të trishtë”, u shpreh ndër të tjera Abrashi.

Go to TOP