Vitia: Një pjesë e Spitalit të Gjilanit i jepet Shkollës së Mjekësisë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se sot në mbledhjen e qeverisë është marrë vendim për dhënien në shfrytëzim të një pjesë të Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit për ndërtimin e shkollës së mesme të mjekësisë, shkollë e cila, për shkak të kushteve jo të duhura deri tani, ka zhvilluar aktivitete në shkollën ekonomisë në këtë komunë.

I pari i shëndetësisë tha se investimet në QKUK dhe spitale të përgjithshme po kryhen me ritëm të shtuar dhe se investime po bëhen edhe në shërbime të reja.

“Investimet në infrastrukturë në QKUK dhe në spitalet e përgjithshme po vazhdojnë me intensitet të shtuar për t’i bërë ambientet më miqësore dhe praktike për pacientët. Po investohet edhe në infrastrukturë. Janë hapur shumë shërbime të reja. Edhe shërbime që deri tani nuk janë bërë”, tha Vitia në një konferencë për medie.

“Vetëm në Klinikën e Gjinekologjisë shumë shpejt pritet të mundësohen tri shërbime të reja. Shërbimi i frytnimit të asistuar mjekësor, aminocenteza, si dhe mjekësia fetale, shërbime që të gjitha gratë janë detyruar t’i marrin ose në institucione private ose jashtë vendit, tani do të merren edhe në sektorin publik”, tha ai.

Vitia paralajmëroi se deri në muajin qershor do të hapet konkursi për punësimin e mbi 300 profesionistëve shëndetësorë. Në mesin e tyre, do të jenë 80 specialistë dhe rreth 200 infermierë.

Në bashkëpunim me menaxhmentin e ShSKUK në muajin qershor do të hapet konkursi edhe për rreth 330 profesionistë shëndetësorë. “Do të punësohen rreth 80 specialistë, rreth 200 infermierë që do të ndihmojnë shërbimin e cilësisë për qytetarë, por edhe lehtësimin e profesionistëve shëndetësorë për t’i dhënë këto shërbime”, ka theksuar Vitia.

Go to TOP