Vetëvrasja e Sokol Halilit, Policia: Gjatë intervenimit janë larguar anëtarët e familjes nga shtëpia

Sokol Halili i cili dyshohej për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij në oborrin e Klinikës Gjinekologjike në QKUK është vetëvrarë në shtëpinë e tij edhe pse Policia e Kosovës ishte munduar të negociojë me të që të vet-dorëzohet.

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të premten rreth orës 13:45 në fshatin Davidoc, në Shtime.

Tutje në raport sqarohet se njësitet policore gjatë aksionit për arrestimin e të dyshuarit kanë arritur që të largojnë anëtarët e familjes nga shtëpia, ndërsa i dyshuari nuk ka pranuar negocimin me policinë, ku më pas ka qëlluar veten me revole.

“Fsh. Davidoc, Shtime 02.12.2022 – 13:45. Njësitë policore kanë zhvilluar një aksion për arrestimin e të dyshuarit  kosovar lidhur me rastin vrasje. Gjatë intervenimit është arritur që të largohen anëtarët e familjes nga shtëpia, ndërsa i dyshuari nuk ka pranuar negocimin me policinë dhe ka qëlluar veten me revole”, thuhet në raport.

Siç bëhet e ditur në raport, vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor.

Ndërsa në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me një karikator pa fishekë dhe një predhë.

“Përveç njësive të nevojshme policore në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftim. 

Go to TOP