Vetëvendosje Prishtinë: Vendimi për NPB-në cenon drejtësinë

Lëvizja Vetëvendosje – Qendra në Prishtinë ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për të mos konfirmuar aktakuzën ndaj tetë ish-zyrtarëve të lartë të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), të cilët ishin akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe lidhje të kontratës së dëmshme në projektin e përbashkët në lagjen Lakrishtë.

Sipas Vetëvendosjes, ky vendim për hedhjen poshtë të aktakuzës pa u zhvilluar shqyrtim gjyqësor përbën një akt të pashembullt që bie ndesh me drejtësinë dhe transparencën. “Arsyetimi se ‘nuk ka prova të mjaftueshme’ është i papranueshëm dhe cenon rëndë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë,” thuhet në reagimin e Lëvizjes.

VV – Prishtinë përmend një sërë shkeljesh që sipas saj përbëjnë bazë të fortë për trajtim gjyqësor, si: “Ndryshimi i statutit të NPB-së për të favorizuar operatorë privatë, kufizimi i konkurrencës me afate joreale për tenderim, regjistrimi i konsorciumit ‘fitues’ një ditë para njoftimit për ofertim, rrënimi i objekteve me azbest në mënyrë të paligjshme dhe shkelja e disa ligjeve relevante.”

Sipas Lëvizjes, “Hedhja e aktakuzës pa ballafaqim me prova paraqet jo vetëm cenim të funksionit të Prokurorisë Speciale, por edhe një mesazh të rrezikshëm për pandëshkueshmërinë e abuzuesve të pushtetit.”

Lëvizja Vetëvendosje – Qendra në Prishtinë i bën thirrje “Prokurorisë së Shtetit që të ushtrojë ankesë ndaj këtij vendimi” dhe kërkon nga “Gjykata e Apelit që ta anulojë atë dhe ta kthejë rastin në riprocedurë, në funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe zbardhjes së së vërtetës.”

Go to TOP