Vetëvendosja dhe politikat anti-amerikane e anti-perëndimore të “Grupit të Tiranës”

Shkruan: Skender HYSENI

Ka kohë që i ashtuquajturi “Grupi i Tiranës” përpos politikave të VV-së dikton edhe politikat qeverisëse në Kosovë. Krijimi dhe etablimi i politikave anti-amerikane dhe anti-perëndimore duket të jetë misioni i këtij “Grupi” që ka për qellim vënien e Kosovës në raporte konfrontuese me SHBA-të dhe BE-në. Diçka që kishte filluar diku në vitin 2015, duket se është konsoliduar fort në politikat partiake të VV-së dhe ato të Qeverisë Kurti. Abdixhiku bëri mirë që e riaktualizoi këtë tendencë. Është detyrë e forcave politike opozitare në Kosovë të mos qëndrojnë indiferent ndaj këtyre përpjekjeve dhe politikave të këtij “Grupi”.

Në vitin 2016, tre eksponentë të këtij “Grupi” u patën depërtuar nga Kosova me vendim të Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj, sepse kishin shkelur ligjin për qëndrim në Kosovë. Në atë kohë, unë isha Ministër i Punëve të Brendshme. Drejtoria për Migrim dhe të Huaj kishte kryer punën e vet në pajtim me ligjet në fuqi, pas asnjë ndërhyrje politike.

Sidoqoftë, pak kohë më vonë VV e cila e thoshte se “ishte depërtim politik”, organizoi një sulm të turpshëm ndaj meje, në kohën time të lirë, ndërsa po lëvizja në veturën time private. Me 22 korrik 2016, ndërsa po ngisja veturën time private, një grup i VV-së, të cilët u identifikuan më vonë, por çuditërisht, u liruan nga gjykata, hodhën ngjyrë në xhamin e përparmë të veturës. Si pasojë, nga pamundësia e pamjes për të drejtuar automjetin tim nga ngjyra e hedhur, vetura ime në lëvizje u aksidentua me dy vetura tjera. Pak orë më vonë, me një komunikatë, Vetëvendosja mori përgjegjësinë për sulmin ndaj meje. Dhe prapë, çuditërisht, asnjë veprim ligjor nuk u ndërmor kundër VV-së, ndonëse sulmi kishte vë në rrezik jetë njerëzish!!!

Pasoi një indiference e pashpjegueshme. Nuk kishte asnjë reagim apo dënim të këtij sulmi ndaj ministrit të brendshëm, qoftë edhe nga një deputet i vetëm i Kuvendit të Kosovës. Ishte vetëm KM Isa Mustafa që kishte dënuar sulmin.

Pse e bëra këtë digresion?

Assesi jo për t’u viktimizuar!

E bëra thjeshtë për të vënë në pah dhe për të theksuar se e keqja vetëm sa vjen e trashet nëse nuk i ndërpritet rruga me kohë. Apo siç thoshte Nelson Mandela: “Budallenjtë shumohen kur njerëzit e mençur heshtin”.

Go to TOP