Vetëm Hykmete Bajrami e shpëton LDK-në dhe Kosovën
Shkruan: Shenoll MUHARREMI
LDK gjendet para një udhëkryqi më kritik në dy dekadat e fundit. Pas aksidentit të fundit në rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, kjo parti mund të zhduket si forcë politike nëse nuk vepron si duhet. Por, njëkohësisht, ajo ka potencial të rikuperohet shpejt.
Fati i Kosovës ndërlidhet me LDK-në për shumë arsye, por mbi të gjitha sepse, nëse LDK rikuperohet nga momenti aktual, ekuilibri i forcave politike balancohet dhe fiton demokracia, por edhe një Kosovë më kredibile, më e fortë ekonomikisht dhe më e integruar në BE dhe NATO.
Ditët e ardhshme, derisa të mblidhen organet e LDK-së rreth zgjedhjes së kryetarit të ri, do të dëgjojmë lloj-lloj budallakinash rreth emrave dhe arsyeve se kush duhet të jetë kryetari i ardhshëm.
Grupet e interesit, por edhe bizneset me ndikim, do të tentojnë të shohin interesin e tyre dhe të shtyjnë kandidatët e tyre. Do të dëgjojmë lloj-lloj emrash nga brenda e jashtë ditëve në vijim, por shumica absolute e kandidatëve potencial do të përkrahen për interesa të ngushta, jo për interesin e LDK-së dhe të Kosovës.
Nga të gjithë kandidatët, të vlerësuar me shumë kujdes, Hykmete Bajrami aktualisht i përmbush më së shumti kriteret dhe nevojat për kryetare të LDK-së.
Hykmete Bajrami është personi i dytë më i votuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe ka ruajtur votën e saj në një situatë kur LDK ka pësuar rënie të thellë. Për shembull, derisa tre kandidatët kryesorë nga zgjedhjet e 9 shkurtit kanë rreth 100,000 vota më pak, zonja Bajrami e ka ruajtur votën dhe ka dalë e dyta.
Ky argument nënkupton se elektorati i LDK-së tashmë e ka zgjedhur dhe e preferon Hykmete Bajramin si opcion kryesor kur shfaqet nevoja për ndryshim të lidershipit. Pra, kriterin e demokracisë dhe legjitimitetit e përmbush plotësisht dhe me një dallim të madh nga të tjerët.
Kjo zonjë e hekurt ka gjithashtu integritet të lartë dhe kompetencë të jashtëzakonshme. Integriteti duhet të jetë kriteri kryesor për zgjedhjen e kryetarit të ri të LDK-së. Nëse personi që zgjidhet nuk ka integritet, ai do të jetë i shantazhueshëm dhe rikuperimi i partisë do të dështojë.
Nëse kandidati nuk ka kompetencë profesionale, atëherë LDK nuk mund ta arrijë potencialin e saj. Askush më shumë dhe më fuqishëm se zonja Bajrami nuk i përmbush aktualisht kriteret e integritetit dhe kompetencës në mesin e atyre që kanë potencial real për t’u votuar dhe zgjedhur në krye të LDK-së.
Ndoshta rruga dhe metoda politike e Hykmete Bajramit është arma më e fortë që e favorizon atë në garën për kryetare. Pse? Sepse e vetmja rrugë për rikuperimin e LDK-së është ballafaqimi direkt dhe frontal me LVV-në. LDK ka dhjetëra mijëra, e ndoshta qindra mijëra vota të “huazuara” te LVV-ja, jo te partitë e tjera. Prandaj, ballafaqimi me LVV-në është rruga e vetme që LDK të kthejë elektoratin, votën dhe fuqinë politike, dhe të arrijë potencialin e saj.
Nuk ka asnjë person më të pozicionuar dhe më të përgatitur sesa Hykmete Bajrami për ta drejtuar këtë rrugë të nevojshme dhe esenciale ku LDK bëhet një opozitë e fortë e proaktive. Puna e saj e jashtëzakonshme rreth krizës së energjisë, çmimeve dhe inflacionit, zbulimi i qindra kontratave njëburimore, janë vetëm disa nga punët e saj të jashtëzakonshme që e konfirmojnë pozitën, kualitetin dhe reputacionin e saj në këto tema.
Zonja Bajrami ka dëshmuar me opozitë-bërje proaktive si deputetja më e zëshme që ka avokuar dhe punuar më shumë se gjithkush tjetër për interesin e bizneseve dhe qytetarëve gjatë krizave të vitit 2025, sidomos gjatë krizës së energjisë. Me siguri ka punuar dhe bërë më shumë se gjithkush tjetër në opozitë, e ndonjëherë edhe më shumë se krejt opozita bashkë.
Të gjitha yjet po konspirojnë aktualisht për Hykmete Bajramin si kryetare e ardhshme e LDK-së.
Por LDK mund të gabojë dhe të ndërmarrë një vendim të gabuar. Grupet e interesit, interesat ekonomike dhe lobimet nga bizneset për interesa të ngushta mund ta deformojnë dhe devijojnë këtë vendimmarrje. Gjasat janë 50%-50% që LDK të marrë vendimin e duhur, ose të bëjë gjënë e duhur, ose të gabojë me vendimin e saj.
Nëse LDK janë të zgjuar dhe ia duan të mirën partisë dhe Kosovës, e zgjedhin Hykmete Bajramin. Nëse dëshirojnë ta dështojnë partinë dhe të vendosin mbi baza interesash të ngushta, atëherë bëjnë “eksperimente” dhe e sakrifikojnë fatin e LDK-së dhe të Kosovës.
LDK nën drejtimin e Hykmete Bajramit do të ketë një stil më shumë Europian dhe gjerman… me integritet të theksuar, ku nuk do të mund të ketë abuzime nga pjesëtarët e saj.
Po ashtu, LDK me Bajramin në krye do të ketë kompetencë për ta përgatitur Kosovën drejt BE-së në vitet e ardhshme.
Kompetenca ekonomike e LDK-së do të vijë në shprehje, sepse tani nuk i duhen as filozofë, as politikanë të mirë në teori. I duhen persona të vendosur, që guxojnë dhe dinë të veprojnë, që kanë integritet dhe kredibilitet, për ta kthyer votën e LDK-së dhe për ta rikthyer këtë parti në qendër të politikës kosovare.
Shumë opcione dhe lloj-lloj llafesh do të dëgjojmë ditët e ardhshme, por LDK tashmë e ka kryetaren e ardhshme… një kryetare që ka legjitimitet të votës, që është zgjedhur nga demokracia brenda LDK-së, dhe që ka integritet, kompetencë, dije dhe guxim për ta kthyer votën e LDK-së brenda vitit 2026.
Krejt sytë janë te LDK ditët e ardhshme dhe vendimi i saj do të përcaktojë fatin jo vetëm të partisë, por edhe të së ardhmes së Kosovës. Do të vendosin nëse LDK do të bëhet parti e integritetit të lartë, e ekonomisë dhe e Evropës, apo do të shkojë në humnerë.
