Vërtetohet dënimi për krime lufte për Zoran Krstic e Destan Shabanaj, Apeli lë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore

Departamenti Special i Gjykatës së Apelit të Kosovës, pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore, ka vendosur që të refuzoj si të pabazuara ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve, kurse të vërtetohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.76/19, datë 23.03.2021, ndërsa është hedhur poshtë ankesa e përfaqësuesit palës së dëmtuar.

Me aktgjykimin e lartcekur të Gjykatës Themelore në Prishtinë, i akuzuari Zoran Krstic është shpallur fajtor për shkak të veprës penale në bashkëkryerje Krime lufte kundër popullsisë civile nga neni 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, e sanksionuar edhe sipas nenit 3 të Konventës së Gjenevës dhe Protokollit të dytë të saj dhe ndaj të njëjtit është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 14 vjet e gjashtë muaj.

Ndërsa, i akuzuari Destan Shabanaj është shpallur fajtor për shkak të veprës penale Krime lufte kundër popullsisë civile nga neni 142 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të Konventave të Gjenevës dhe ndaj të njëjtit është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 7 vjet.

Go to TOP