Verona ndal Juventus, pak minuta për Zhegrovën
Verona e ka ndalur në barazim Juventus 1-1 në “Marc’Antonio Bentegodi”, duke i dhënë fund një ecurie shumë të mirë të bardhezinjve në këtë sezon të Serie A.
I motivuar nga fitorja dramatike 4-3 në derbin me Inter javën e kaluar, “Zonja e Vjetër” ka kaluar herët në epërsi. Në minutën e nëntëmbëdhjetë, Francisco Conceicao e ka marrë topin në krahun e majtë, ka depërtuar në brendësi, duke realizuar një gol të bukur me një goditje të saktë në këndin e poshtëm.
Pas avantazhit, skuadra e Igor Tudor e ka humbur ritmin dhe Verona ka filluar të rikthehet në lojë.
Goli i barazimit ka ardhur në fund të pjesës së parë, pas një rasti me VAR. Joao Mario është gjykuar se e ka prekuur topin me dorë brenda zonës, dhe Gift Orban është treguar i saktë nga penalltia, duke mposhtur portierin Di Gregorio me ndihmën e traversës.
Në pjesën e dytë, Vlahovic ka pasur mundësinë ta rikthente epërsinë për Juventus, por Montipo ka reaguar mjaft mirë.
Verona është bërë më e rrezikshme dhe Orban e ka provuar sërish me një goditje të fortë që është devijuar mbi traversë, ndërsa Serdar ka shënuar nga afër, një gol që më pas, pas rishikimit me VAR, është anuluar për pozicion jashtë loje.
Nga minuta e tetëdhjetë e tretë, për Juventus është futur në lojë edhe Edon Zhegrova, duke e zëvendësuar Joao Mario, por kosovari, ndryshe nga debutimi me Borussia Dortmund në Champions League ku e kishte dinamizuar sulmin e skuadres italiane për ta mbyllur ndeshjen baras, në ndeshjen e sotme nuk ka lënë gjurmë.
Juventus mbetet lider në tabelë me dhjetë pikë, ndërsa Verona pozicionohet në vendin e pesëmbëdhjetë me tri pikë.
