Vendimi skandaloz i prokurorisë dhe dështimi i shtetit për ta mbrojtur 35 vjeçaren dhe beben e saj
Gruaja shtatzënë që u vra të mërkurën në mbrëmje para objektit të Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë do të varroset sot.
Hamide Magashi, mbrëmjen e së mërkurës është vrarë në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë. I dyshuari i vrasjes është ish bashkëshorti i saj Sokol Halili.
Gjykata Themelore e Ferizajt ka njoftuar se ka pasur urdhër mbrojtje ndaj 35-vjeçares, ndërkaq Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për arrestimin e të dyshuarit Sokol Haliti.
Ngjarja dhe vendimi skandaloz i prokurorisë
Më 29 korrik të vitit 2022 ishte kryer një bastisje policore në shtëpinë e Sokol Halilit, të dyshuarit për vrasjen e gruas së tij, Hamide Magashit, në oborrin e QKUK-së.
Bastisja kishte ardhur si rezultat i deklaratës së tashmë të ndjerës Hamide Magashi, të cilën më 6 korrik të këtij viti e kishte dhënë në polici.
Magashi kishte raportuar se ishte kërcënuar me armë nga bashkëshorti i saj. Saktësisht tre javë kohë i janë dashur prokurorisë që të urdhëronte bastisjen në shtëpinë e Sokol Halilit.
Bastisja kishte rezultuar me gjetjen e dy armëve, njëra pushkë gjuetie me leje të skaduar e tjetra pistoletë me gaz. Pushka e gjuetisë ishte gjetur në dhomën e fjetjes, në katin e dytë të shtëpisë, ndërsa në oborrin e shtëpisë ishte gjetur pistoleta me gaz dhe me karikator të zbrazët.
Këtë të fundit, i dyshuari para organeve ndjekëse kishte deklaruar se e kishte gjetur në vitin 2014 apo 2015 në Ferizaj dhe e kishte mbajtur të fshehur në shupë te pajisjet e punës. Për pushkën e gjuetisë nuk ishte iniciuar procedurë penale pasi për këtë ishte në procedurën e riaplikimit për leje, mirëpo e njëjta ishte konfiskuar për çështje të sigurisë.
Edhe pse kishte raportime për kërcënim, dhe i ishin gjetur dy armë zjarri në shtëpi, Sokol Halili me urdhër të prokurorit Rasim Maloku ishte lënë në liri.
Për armëmbajtje pa leje Sokol Halili ishte dënuar në shtator të këtij viti me gjobë 300 euro. Para bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit, bashkëshortja e tij kishte deklaruar në hetuesi për dhunën e vazhdueshme të cilën e kishte përjetuar. Magashi kishte deklaruar se në çdo vizitë familjare kishte qenë nën shoqërimin e vjehrrës dhe vëzhgimin e bashkëshortit. Përpos përcjelljes së vazhdueshme nga vjehrra dhe bashkëshorti, viktima kishte raportuar edhe për kërcënimet me armë. Madje, Magashi kishte raportuar se kishte pasur edhe kërcënime me vrasjen e burrit të motrës së saj dhe kërcënime se do të kryente marrëdhënie seksuale me motrën e saj në praninë e saj. Përpos dhunës dhe kërcënimeve, Hamide Magashi kishte raportuar edhe se çdo pagë të cilën e realizonte nga puna në Komunën e Ferizajt ia dorëzonte bashkëshortit, duke ia paguar edhe gjobat për kundërvajtje në trafik. Të gjitha këto pretendime ishin mohuar nga i dyshuari Sokol Halili
Deklarata e prokurorit
Gjatë ditës së djeshme është raportuar se prokurori Rasim Maloku kishte liruar në procedurë të rregullt Sokol Halilin, vrasësin e 35-vjeçares shtatzënë mbrëmë në oborrin e QKUK-së.
Këtij të fundit në fund të muajit korrik i ishte bastisur shtëpia dhe gjatë kontrollit i ishin gjetur dy armë, një pushkë gjuetie me leje të skaduar dhe një pistoletë me gaz.
Maloku ka deklaruar se nuk e di se në çfarë rrethana është liruar Haili, teksa ka shtuar se duhet ta shikojë lëndën që posedon prokuroria.
“Unë sot tërë ditën kam qenë në intervistim të pandehururve në rastin Brezovica edhe përveç lajmeve që kam dëgjuar përmes mjeteve të informimit. Për besë as që nuk e di se si ka ndodhur rasti edhe në çfarë rrethana është liru dhe zhvillu kjo procedurë. Deri sa nuk e kam landën, s’kam çka të ju them”, tha ai dje për një televizion.
“Ne nuk e dimë se çka ka ndodhë dhe çdo rast qartësohet nga rrethanat konkrete dhe thuajse asnjë rast nuk shkon në ndalim për armë të gjuetisë dhe armë me gaz. Nuk i di rrethanat si ka ndodhë pa e pa rastin ma detalisht, deklaratat edhe të ndjerës edhe të pandehurit”, shtoi ai.
Prokuroi Maloku shtoi se do t’i mbartë të gjitha përgjegjësitë për rastin në fjalë.
“Unë do ta shikoj rastin si ka ndodhë dhe nëse është nevoja të gjitha përgjegjësitë, ato jam në gjendje me i bartë. Ne nuk mund të parandiejmë se çka do të ndodhë në secilin rast konkret. Edhe na zakonisht kemi kritika të vazhdueshme për caktimin e masave të paraburgimit”, tha Maloku.
“Nëse ka pas lëshime jam në gjendje të jap çfarëdolloj përgjegjësie para çdo institucione. Asgjë s’është bërë me asnjë tendencë apo intervenim. Por rrethanat se si kanë ndodhë duhet me pa komplet rastin se si është zhvillu”, shtoi ai.
Kryeministri Kurti paralajmëron shkarkime e dorëheqje
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se i gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë në rastin e vrasjes së 35-vjeçares shtatzënë, duhet të japë dorëheqje. Ai ka paralajmëruar largimin e këtyre zyrtarëve.
Në një shkrim në Facebook, Kurti ka thënë se ka miratuar kërkesat e Grupit Ndërministror kundër dhunës në familje. Ndër kërkesat ka përmendur edhe ndarjen urgjente të buxhetit për zbatim të Ligjit për mbikëqyrjen elektronike të personave që u kufizohet lëvizja me vendim gjykate.
“Zinxhiri që duhet (dorë)hequr. Sot pasdite kam aprovuar kërkesat e Grupit Ndërministror kundër dhunës në familje, pas takimit të sotëm të tyre, për rastin e vrasjes së Hamide Magashit dhe foshnjës së saj të palindur. Në bazë të përgjegjësive që mbartin institucionet përkatëse, po bëhet: inspektimi i punës së zyrtarëve policor, përfshirë zbatimin e urdhrit mbrojtës; inspektimi i punës së zyrtarëve në Qendrën për Punë Sociale; inspektimi i punës së zyrtarëve në repartin e gjinekologjisë në QKUK; ndarje urgjente e buxhetit për zbatim të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës; dhe, në rastet e caktimit të urdhrit mbrojtës të bëhet bastisje e shtëpisë së personit të dyshuar”, ka shkruar Kurti në Facebook.

