Fejzullahu: Vendimi për ngritje të çmimit të energjisë ishte në linjë me një parti të madhe
Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), Ymer Fejzullahu, e ka pranuar në Komisionin Hetimor për energjinë se vendimi i tyre për shtrenjtimin e energjisë e ka bazuar në propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Për të qenë korrekt me të gjithë ju këtu, vendimi ynë nuk ka qenë në linjë me Qeverinë por me një nga partitë më të mëdha në vend”, ka thënë Fejzullahu.
Fejzullahu po ashtu e ka pranuar se në muajt e parë të këtij viti ka pasur kompani që kanë funksionuar pa licencë në shit-blerjen e energjisë elektrike në Kosovë, raporton EO.
Më tej, ai ka thënë se nuk është i sigurt nëse akoma nuk funksionon një e tillë, megjithëse sipas legjislacionit në fuqi është e ndaluar dhe dënohet rëndë.
I pyetur nga shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri, cili ka qenë importi dhe eksporti i energjisë gjatë muajit mars, Fejzullahu është përgjigjur vetëm për vlerën financiare, por jo edhe atë të megavatëve.
“Gjatë muajit mars kemi pasur 13 milionë euro import, 8.7 milionë euro eksport. Por të dhënat për megavat nuk i di”, ka thënë Fejzullahu.
