Vdes nga kanceri aktori i serialit “Pasionet e Fshehta”, Sebastian Boscan

Është bërë e ditur se ka ndërruar jetë në moshën 41-vjeçare aktori kolumbian, Sebastian Boscan, i cili mbahet mend më shumë për rolin e tij në serialin “Pasionet e Fshehta”. 

Informacioni i parë rreth vdekjes është njoftuar nga gazetari Carlos Ochoa, mik i ngushtë i aktorit, teksa ka ndarë një mesazh emocionues për të ndjerin. 

“Vdekja juaj ma lëndon shpirtin. Faleminderit mik për kaq shumë personazhe të paharrueshme. Duket e pabesueshme ta thuash këtë. Pusho në paqe Sebastian”, thuhet në postimin e tij. 

Lidhur me shkaqet e vdekjes, Carlos raportoi se ishte si pasojë e kancerit të stomakut kundër të cilit humbi betejën natën e 28 nëntorit, në Medellin. 

Pavarësisht se Boscan kishte thënë se nuk do të ishte pjesë e sezonit të dytë të “Pasion de Gavilanes”, një video bëri që shumë njerëz të mendojnë se ai do të kthehej. 

I njëjti e filloi karrierën në televizion në vitin 2002 me një rol në telenovelën kolumbiane “La Venganza”, ku luajti personazhin e Marco Tulio Valerugo. Më vonë, ai pati mundësinë të merrte pjesë në projekte të tjera të njohura që u bënë për publikun kolumbian dhe latin. 

Ndër projektet më të rëndësishme në të cilat mori pjesë Boscan janë: “La Ley del Corazon”, “Bloque de Busqueda”, “El Estilista”, “Tres Caines”, “La Reina del Sur”, “Tiempo final”, etj. 

Kujtojmë që sezoni i dytë i serialit “Pasionet e Fshehta” do të rikthehet në vitin 2022. 

Go to TOP