Vazhdon zvarritja e projektit të Tregut të Gjelbër në kryeqytet
Tregtarët në Tregun e Gjelbër në kryeqytet ende nuk kanë lëvizur nga hapësirat që operojnë tash e sa kohë. Projekti i tregut të ri nuk është realizuar ende nga komuna.
Lidhur me këtë, nga partia opozitare në Komunën e Prishtinës, Vetëvendosje, adresojnë kritika.
“Tash jemi në vitin 2024 dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Tregtarët që punojnë aty janë ende me kushte shumë të këqija edhe higjienike edhe të infrastrukturore. Ata presin që ky projekt të realizohet më shpejtë dhe tregu i ri të fillojë të ndërtohet në ish-pronat e AKP-së”, ka theksuar Besart Krasniqi, asamblist i VV-së në Prishtinë.
Nga Komuna e Prishtinës thonë se projekti i Tregut të Gjelbër është mjaft i rëndësishëm, derisa tregojnë se janë dy opsione për realizimin e tij.
“Jemi pranë dy solucioneve finale, asaj se a do të vazhdohet me hapjen e tenderit për ta menaxhuar komplet komuna edhe financiarisht rregullimin e tregut, që zhvendosja e përkohshme të bëhet në këto hapësira që janë pastruar dhe do të ripastrohen. Derisa opsioni i dytë është që të iniciohet përmes qeverisë apo përmes kuvendit komunal me idenë që të privatizohet”, tha Donat Lushaku, zëdhënës i Komunës së Prishtinës
Ai tutje tregoi pse se pse nuk ka ndodhur zhvendosja deri më tani.
“Ka pasur një vonesë në këtë aspekt. Kryetari nuk ka qenë i kënaqur me projektin e kaluar sepse nuk i ka përmbushur kriteret e parapara”, tha ai.
Nga komuna thanë se së shpejti pritet që të vendoset për njërin opsion, në mënyrë që të vazhdohet me hapat e mëtutjeshëm.