U.D.Kryeprokurori Kelmendi në Tiranë, flet për luftën kundër korrupsionit

Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Forcimi i Llogaridhënies–Përpjekjet për fuqizimin kundër korrupsionit në Ballkanin Perëndimor”.

U.D. Kryeprokurori Kelmendi në këtë konferencë ka folur për një sërë hapash pozitiv të ndërmarra nga institucioni i Prokurorit të Shtetit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar përgjatë viteve të fundit, qasjen proaktive të prokurorëve në ngrirjen dhe sekuestrimin e pasurisë.

“Ai ka theksuar se vetëm gjatë vitit të kaluar janë ngrirë, sekuestruar dhe konfiskuar mbi 111 milion euro pasuri, për themelimin e Zyrës për Rikthimin e Aseteve dhe bashkëpunimin me shtetet tjera në rikthimin e pasurisë së fituar me vepër penale, si dhe krijimin e databazës për hetime penale mbi të dhënat inteligjente, platformë kjo që do të krijojë mundësi për verifikimin e pasurisë së secilit qytetarë të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.

Siç raportojnë nga prokuroria, U.D. Kryeprokurori i Shtetit ka folur edhe për rolin dhe funksionin e sinjalizuesve në institucionet publike në raportimin e korrupsionit dhe shkeljeve ligjore, zbatimin e ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve si mekanizëm efektiv për të parandaluar dhe luftuar dukuritë negative, përdorimin e Sistemit Elektronik të Menaxhimit të Lëndëve (SMIL), si një sistem i cili ka avancuar punën e prokurorëve, si dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile në mbrojtje të vlerave të pavarësisë institucionale dhe forcimin e sundimit të ligjit.

Kjo konferencë u mbajt në Tiranë dhe u organizua nga Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Kundër Korrupsionit dhe Ministria e Drejtësisë e Republikës së Shqipërisë. /Kosova.info/

Go to TOP