Kosova

U certifikuan 15 pjesëtarë të FSK-së, të trajnuar në fushën e shëndetit mendor

Në Ministrinë e Mbrojtjes sot u mbajt ceremonia e certifikimit të 15 pjesëtarëve të FSK-së, të cilët përfunduan trajnimin në fushën e shëndetit mendor.

Në ceremoninë përkatëse, përveç ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe drejtorit të Departamentit të Mjekësisë, kolonel dr.Xhevdet Tahiraj, ishin të pranishëm edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë, dr.Shaban Mecinaj si dhe ekipi profesional trajnues i klinikës përkatëse.

Në fjalën e tij, ministri Mehaj theksoi se krijimi i kapaciteteve të profesionistëve të FSK-së për trajtimin e shëndetit mendor, sipas praktikave të ushtrive të vendeve të NATO-s, ka qenë prioritet i tij me fillimin e punës si ministër i Mbrojtjes.

Gjithashtu, ai vlerësoi se për ushtarakun profesionist, sa e rëndësishme është përgatitja profesionale ushtarake dhe shëndeti fizik, po aq i rëndësishëm është edhe shëndeti mendor. “Ndër objektivat e mi, ndër të tjera, është zhvillimi dhe avancimi i politikave në funksion të kujdesit shëndetësor dhe mirëqenies së plotë dhe të përhershme të ushtarakëve tanë”, tha ministri Mehaj.

Ministri Mehaj falënderoi ministrin Vitia, dr. Krasniqi e dr. Mecinaj dhe stafin i tij nga Klinika e Psikiatrisë, për krijimin e kapacitetit të parë profesional të FSK-së në fushën përkatëse, duke shprehur interesimin që trajnimi përkatës të jetë modul standard në kuadër të doktrinës së FSK-së, për çka siguroi mbështetje të plotë nga ana e autoriteteve të pranishme shëndetësore.

Ai në fund uroi pjesëtarët e trajnuar duke i udhëzuar që njohuritë e fituara t’i bartin te njësitë dhe kolegët e tyre gjatë shërbimit të përditshëm, stërvitje si dhe operacione brenda dhe jashtë vendit.

Në fjalimet e tyre edhe ministri Vitia, gjeneral Rama, drejtori Krasniqi dhe kolonel Tahiraj, vlerësuan lartë idenë e ministrit Mehaj, të konkretizuar me sukses dhe shprehën pajtueshmërinë e plotë që bashkëpunimi i ndërsjellë, sikur edhe në fushat tjera, të vazhdojë edhe në të ardhmen. /Kosova.info/