U bë bujë për rritjen e sivjetshme ekonomike, Kosova kishte përjetuar edhe rritje mbi 300 milionëshe vite më parë

Qeveria e Kosovës para dy ditësh ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2022 në vlerë prej 2 miliardë e 748 milionë euro.

Buxheti për vitin 2022 është 220 milionë euro apo 8.7 për qind më shumë krahasuar me buxhetin e rishikuar të këtij viti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas miratimit të projektbuxhetit për vitin 2022 ka thënë se nëse Kosova vazhdon të ketë rritje të buxhetit për 10 për qind, do t’i afrohet Kroacisë.

Por, Kosova ka pasur rritje të vazhdueshme ekonomike ndër vite.

Në fund të vitit 2014, Qeveria e Kosovës kishte miratuar projektbuxhetin për vitin 2015 me vlerë prej 1 miliardë e 576 milionë apo 8.1 për qind më shumë se në vitin paraprak (2014).

Kryeministri i atëhershëm nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, kishte premtuar se me këtë buxhet do të bëhen reforma në ekonomi, ndërsa kishte parashikuar që rritja buxshetore për vitin 2015 të jetë mbi 4 për qind.

Në fund të vitit 2015, Qeveria e Kosovës kishte miratuar buxhetin për vitin 2016 në vlerë prej 1 miliardë e 674 milionë euro.

Qeveria e atëhershme kishte thënë se Kosova do të vazhdojë me ritmet e saja pozitive të rritjes.

Në vitin 2016, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar edhe në lexim të dytë për vitin 2017 me vlerë mbi 2 miliardë euro – ose 326 milionë euro më shumë sesa në vitin paraprak.

Ky ishte edhe buxheti më i lartë i Kosovës që nga paslufta, ndërsa Qeveria kishte premtuar ndarje më të madhe të buxhetit për investime kapitale dhe kishte premtuar zhvillim ekonomik e hapje të vendeve të reja të punës.

Për vitin 2018, Kuvendi i Kosovës në seancë të jashtëzakonshme kishte miratuar në lexim të dytë buxhetin prej 2 miliardë e 82 milionë euro.

Ministri i Financave në atë kohë, Bedri Hamza nga radhët e Partisë Demokratike të Kosofvës, kishte deklaruar që ky buxhet do të siguronte qëndrueshmëri të rritjes ekonomike të vendit, mbështetje të veprimtarive ekonomike, rritje të investimeve kapitale etj.

Trendi i rritjes së buxhetit ka vazhduar edhe në vitin 2019, ku Qeveria e Kosovës kishte miratuar buxhetin prej 2 miliardë e 370 milionë euro.

Kryeministri Ramush Haradinaj nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kishte deklaruar se ky ishte buxheti më i madh dhe më zhvillimor i Kosovës deri në atë vit.

Në vitin 2020, Kosova kishte shënuar pak rënie në buxhet, ku kishte miratuar buxhetin prej 2 miliardë e 357 milionë euro. Buxheti për vitin 2020 ishte miratuar në lexim të parë në fund të vitit 2019, për shkak të situatës me COVID-19 në vend.

Kryeministri i atëhershëm i Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kishte kërkuar nga deputetët që buxheti të miratohet më herët për shkak të situatës në vend nga përhapja e virusit COVID-19 dhe një kërkesë e tillë ishte pranuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Në fund të vitit 2020, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar në lexim të dytë ndarjet buxhetore për vitin 2021, me buxhet prej 2.4 miliardë euro.

Buxheti për vitin 2021 ishte cilësuar më i dobët se i viteve paraprake, me 300 milionë euro rënie në të hyra për shkak të efekteve të pandemisë COVID-19.

Në anën tjetër, para dy ditësh Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje ka miratuar Projektligjin e Buxhetit për vitin 2022 me buxhet prej 2 miliardë e 748 euro.

Sipas Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratit, ky buxhet është 220 milionë euro apo 8.7 për qind më shumë krahasuar me buxhetin e rishikuar të këtij viti.

Murati ka deklaruar se ky buxhet ka për qëllim konsolidimin e ringjalljes ekonomike pas COVID-19 si dhe qëndrueshmërinë e financave publike, riorientimin e ekonomisë drejtë prodhimit dhe eksportit si dhe përkrahjen e punësimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Go to TOP