Turizmi Shqiptar: Mundësi e artë apo rrezik për bregdetin?
Shkruan: Ilir KRASNIQI
Bumi turistik që po përjeton Shqipëria vitet e fundit po shoqërohet me një transformim të shpejtë të infrastrukturës, por edhe me dilema të mëdha mbi modelin që po ndjekim. Dhënia me koncesion e zonave bregdetare dhe ndërtimi i resorteve të mëdha kanë ndezur debate të ashpra dhe përplasje midis komuniteteve lokale dhe korporatave që vijnë si investitorë. Sot, bregdeti shqiptar po kalon një fazë që ngjan frikshëm me atë që Bullgaria përjetoi në vitet ’90, menjëherë pas ndryshimit të sistemit politik. Pyetja që vazhdon të shtrohet është: ku po shkon turizmi shqiptar? Për ta kuptuar këtë, është e domosdoshme të analizojmë rrugëtimin e fqinjëve tanë rajonalë.
Modeli bullgar: Nga planet shtetërore te kaosi i privatizimit
Përpara viteve ’90, turizmi bullgar kontrollohej nga shteti dhe BRSS (Bashkimi Sovjetik). Resorte të mëdha si Sunny Beach dhe Golden Sands u zhvilluan përmes kompanisë shtetërore “Balkantourist”, duke garantuar flukse turistike përmes marrëveshjeve politike dhe jo tregut të lirë. Pas vitit 1990, kalimi në ekonominë e tregut solli ndryshime rrënjësore. Me privatizimin e shpejtë, hotelet shtetërore kaluan në duart e investitorëve të huaj perëndimorë, kryesisht gjermanë, britanikë, por edhe rusë. Filluan ofertat “all-inclusive”, duke e kthyer Bullgarinë në një destinacion të lirë për Europën Perëndimore, Skandinavinë dhe Lindjen e Mesme. Megjithatë, pasojat negative ishin evidente, pasi ndërtimi i shpejtë dhe i pakontrolluar solli mbingarkesë urbane, dëmtim të mjedisit (ujë, plazhe, kanalizime) dhe humbje të identitetit lokal, si në rastin e vërshimeve në resortet në Elenite vitin e kaluar.
Por ku qëndron ngjashmëria? Shqipëria sot rrezikon të përsërisë gabimet e Bullgarisë nga ndërtimet e dendura buzë detit dhe presioni i lartë mbi infrastrukturën bazike (ujë, energji). Ndryshe nga Bullgaria, që tashmë po përpiqet të rregullojë pasojat, Shqipëria është ende në fazën ku po vendosen themelet për 20–30 vitet e ardhshme.
Për të shmangur skenarin e mbingarkesës bullgare, Shqipëria mund të shohë si referencë dy modele më të balancuara: atë kroat dhe grek.
Modeli kroat: Fokus te cilësia dhe trashëgimia
Kroacia ka aplikuar një planifikim strikt urbanistik, me kufizime të forta për ndërtimet e larta në bregdet. Madje, në shumë raste, as pronarëve të parcelave nuk u lëshohen leje. Pikë e fortë është ruajtja e peizazhit të Adriatikut dhe qyteteve historike si Dubrovniku apo Spliti. Kroacia, veçanërisht vitet e fundit, synon turizmin elitar dhe me vlerë të lartë, jo thjesht atë masiv. Por sfidë e këtij modeli janë çmimet e larta për banorët lokalë, presioni nga platformat si Airbnb dhe mbingarkesa sezonale (over-tourism).
Modeli grek: Ndërthurje e mbrojtjes dhe brandit global
Greqia përdor një model të përzier, ku zonat masive bashkëjetojnë me ishuj të mbrojtur fort nga ana ndërtimore, si Santorini apo Mykonos. Pikë e fortë janë kufizimet strikte në zonat historike, që kanë krijuar një brand global të pathyeshëm. Por mbingarkesa ekstreme në ishujt e famshëm ka sjellë çmime stratosferike dhe mungesë të ujit dhe energjisë gjatë verës.
Bilanci i investimeve të mëdha: Përfitimet dhe kostot
Promovimi i projekteve të mëdha – marina, resorte luksoze – është, siç themi, një thikë me dy tehe për Shqipërinë. Nga njëra anë, ka anë pozitive: leverdi ekonomike, njohje ndërkombëtare, tërheqje e turistëve me buxhet të lartë që shpenzojnë më shumë. Me këtë rritet edhe vlera e tokës dhe stimulohen bizneset lokale, sidomos ato të sektorit shërbyes, si dhe të hyrat buxhetore, me kusht që shteti të mos aplikojë lehtësira të tepruara fiskale.
Por ekziston edhe ana tjetër e medaljes. Banorëve lokalë shpesh u ndalohet ose u kufizohet qasja në zonat e plazhit të privatizuara. Rritja galopante e çmimeve të pronave i bën ato të papërballueshme për qytetarët shqiptarë. Andaj, që tani kanë filluar të shfaqen konflikte pronësie dhe tensione midis komuniteteve lokale dhe korporatave investuese, si atyre të jashtme, ashtu edhe të brendshme. Në rastin e fundit në Zvërnec ka pasur reagime për mjedisin. Por ende në asnjë qytet bregdetar nuk ka pasur reagime të mëdha për objektet deri në 11 kate që kanë shëmtuar bregdetin, duke i humbur edhe destinacionin turistik.
Nuk besoj se një kompani e huaj serioze do ta bënte një gjë të tillë, sepse sot për sot po synohen komplekse luksoze. Padyshim që investimi i një resorti të madh turistik ndërkombëtar mund t’i sjellë Shqipërisë përfitime të konsiderueshme ekonomike dhe sociale, nëse menaxhohet mirë. Nëse në dy dekadat e fundit në turizmin shqiptar nuk kanë qarkulluar emra të njohur, ndoshta as 20 të tjera nuk do t’i shohim. Sot për sot, i vetmi brand që kemi në Shqipëri është “Mrizi i Zanave”, i cili ka depërtuar mjaft edhe në mediat e jashtme.
Madje, nga veriu në jug, do të ishte mjaft mirë që së paku bregdeti shqiptar të kishte pesë resorte të kompanive të njohura dhe një port ku do të ankoroheshin vetëm anijet e huaja, me një taksë jo të madhe. Një model i ngjashëm me Malin e Zi, ku vit pas viti arrihet të arkëtohen shuma të mëdha nga bota e miliarderëve. Kjo ndihmon ekonominë kombëtare dhe rrit rezervat valutore të vendit. Shtohen të ardhurat nga taksat, TVSH-ja dhe tarifat turistike. Kur një markë e njohur hoteliere investon në Shqipëri, rritet besimi i turistëve dhe investitorëve të tjerë.
Shqipëria nuk ka përfunduar ende së shkruari modelin e saj. Ajo ndodhet në momentin kritik, ku vendimet e sotme politike dhe urbanistike do të vulosin fatin e bregdetit për gjeneratën e ardhshme. Nëse forcohet planifikimi hapësinor dhe ligji, duke vendosur rregulla të qarta, Shqipëria ka ende shansin të shpëtojë mjedisin, të ruajë vijën bregdetare dhe të ndërtojë një turizëm cilësor e të qëndrueshëm. Ora po troket dhe vendimet duhen marrë tani.
