Tri raste të kontrabandës, njëri rast në Gjakovë me dy parcela të kanabisit
Policia e Kosovës ka njoftuar për identifikimin e kontrabandës me mallra dhe bimë narkotike në tri raste të ndryshme në afërsi të pikave kufitare. Dy parcela tokë të mbjella me kanabis janë identifikuar në Gjakovë, përkatësisht në një zonë të thellë malore, në brezin kufitare me Shqipërinë.
“Njësitet e Specializuara Kufitare, së bashku edhe njësinë e Antidrogës në Gjakovë, kanë shkuar në lokacionin e dyshuar dhe në vendin e ngjarjes i kanë gjetur dyparcela, në të cilën kishin qenë të mbjella 150 bimë të dyshuara narkotike (kanabis sativa) me gjatësi 1 deri ne 2 m”, njofton Policia.
Policia e Kosovës po ashtu ka komunikuar edhe me Policinë e Shqipërisë dhe në koordinim me të njëjtit është bërë sigurimi i perimetrit të jashtëm të zonës në vijën kufitare Kosovë/Shqipëri nga ajri dhe nga toka.
Rasti i dytë ka të bëjë me kontrabandimin e mallrave në rrugën që lidh fshatrat Dobrosin – Stublinë, afër kufirit Kosovë – Serbi. Policia ka arritur që të konfiskojë mallrat teksa janë dërguar në Doganën e Kosovës.
“Nga njësitet e angazhuara policore në fshatin e lartcekur është ndaluar automjeti i dyshuar me targa të Serbisë,të cilin e drejtonte e dyshuara femër me shtetësi serbe, si dhe një pasagjer. Gjatë kontrollit në automjetin e ndaluar kishte pasur të ngarkuara mallra të ndryshme në sasi të mëdha, përfshirë pajisje elektronike, tekstil dhe produkte higjienike”, njofton policia.
Ndërkaq Policia në një rast tjetër në rrugën e njëjtë ka gjetur kontrabandimin e pajisjeve të punës, të automjeteve dhe pajisje bujqësore, nga dy vetura me targa të huaja, të drejtuara nga dy të dyshuarit meshkuj shtetas kosovarë. Provat e gjetura janë konfiskuar. /Kosova.info/