Tri raste të dhunës në familje vetëm dje në Kosovë

Tri raste të dhunës në familje janë regjistruar vetëm dje në Kosovë, sipas njoftimit të Policisë së Kosovës.

Në Lipjan është arrestuar një person pasi dyshohet se ka sulmuar një burrë tjetër.

“Lipjan / 03.11.2024 – 23:50. Është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar, pasi dyshohet se ka sulmuar viktimën, gjithashtu mashkull kosovar. Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

Një tjetër rast ndodhi në Rahovec, ku një burrë u arrestua me dyshimin për dhunë në familje.

“Rahovec / 04.11.2024 – 19:43. Është arrestuar i dyshuari kosovar pasi dyshohet se, në gjendje të dehur, ka sulmuar fizikisht viktimën, mashkull kosovar. Viktima është trajtuar mjekësisht, ndërsa i dyshuari, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje”, theksohet më tej në njoftim.

Në Gjakovë janë arrestuar dy gra pas një konflikti mes tyre.

“Gjakovë / 04.11.2024 – 08:30. Janë arrestuar dy të dyshuara femra kosovare pas një mosmarrëveshjeje që përfundoi me kacafytje. Si rezultat, një grua tjetër ka pësuar lëndime trupore duke ndërhyrë për të qetësuar situatën. Pas intervistimit, të dyshuarat janë liruar në procedurë të rregullt, sipas vendimit të prokurorit”, thuhet në raportin e policisë.

Go to TOP