Trepça triumfon ndaj Bashkimit në derbin e Superligës
Trepça ka fituar derbin e Javës së njëzet e dytë të ProCredit Superligës së Kosovës në basketboll, duke mposhtur Bashkimin me rezultat 93:88 në një përballje dramatike të zhvilluar në Mitrovicë.
Mitrovicasit e kanë nisur ndeshjen më mirë, duke dominuar çerekun e parë me një epërsi 32:17, ndërsa në një moment kishin avantazh deri në 36:18. Megjithatë, prizrenasit kanë reaguar dhe e kanë ngushtuuar diferencën, duke e mbyllur pjesën e parë me shifrat 44:34.
Bashkimi ka vazhduar rikthimin në çerekun e tretë, duke kaluar përkohësisht në epërsi 48:49, por Trepça ka reaguar shpejt dhe e ka mbyllur këtë periudhë me avantazh 64:60. Në çerekun e fundit, mitrovicasit kanë arritur të shkëputen deri në 71:60, por prizrenasit janë rikthyer sërish, duke kaluar në epërsi 77:78. Megjithatë, në momentet vendimtare, ‘Xehetarët’ janë treguar më të saktë dhe kanë arritur të sigurojnë fitoren me shifrat përfundimtare 93:88.
Lojtari më i dalluar për Trepçën ka qenë Michael Green me njëzet e tri pikë, tri kërcime dhe katër asistime, ndërsa Drilon Hajrizi ka shtuar tetëmbëdhjetë pikë, katër kërcime e katër asistime. Michael Charles Myres ka kontribuar me shtatëmbëdhjetë pikë dhe tetë kërcime. Nga ana tjetër, për Bashkimin, Lejson Zeqiri ka qenë më efikasi me njëzet e dy pikë dhe katër kërcime, ndërsa Dirk Williams ka shtuar shtatëmbëdhjetë pikë e po ashtu katër kërcime.
Tabela bashkëkryesohet nga po këto dy skuadra me pikë të barabarta, nga tridhjetë e shtatë.
