Trazira në Armeni: Qindra të arrestuar në protestat e vazhdueshme
Mijëra protestues kanë dalë në rrugët e Jerevanit duke kundërshtuar dhënien e mundshme të territorit të diskutueshëm Azerbajxhanit. Armenia dhe Azerbajxhani zhvilluan një luftë më 2020 për rajonin e Nagorno-Karabakut, ku mbetën të vdekur të paktën 6.500 persona.


Protestat kanë vazhduar në kryeqytetin armen që nga fillimi i muajit për shkak të frikës se kryeministri Nikol Pashinian mund të njohë zyrtarisht rajonin e diskutueshëm të Nagorno-Karabakut si territor të Azerbajxhanit.

Armenia humbi kontrollin e disa rajoneve në dhe përreth Nagorno-Karabakut në vitin 2020, kur Azerbajxhani nisi një ofensivë të madhe ushtarake për të rimarrë territoret.

Kryeministri armen, Nikol Pashinian dhe presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ranë dakord muajin e kaluar që të fillojnë punën për një traktat paqeje për t’i dhënë fund konfliktit në Nagorno-Karabak dhe të krijojnë një komision për të zgjidhur paqartësitë mbi kufirin e tyre të përbashkët.

Më shumë se 350 persona u arrestuan më 18 maj.

Një të moshuare i është thyer krahu gjatë trazirave të 18 majit.

Pashinian tregoi se kushtet e marrëveshjes së paqes me Bakun, të cilat përfshijnë “njohjen reciproke të integritetit territorial të njëri-tjetrit” janë të pranueshme për Jerevanin “në parim”, duke shkaktuar frikë se ai do t’i dorëzojë Azerbajxhanit rajonet e mbetura të Nagorno-Karabakut të kontrolluara nga armenët.

Taktikat aktuale të aktivistëve antiqeveritarë, të cilat përfshijnë bllokimin e trafikut në qendër të qytetit, janë pothuajse identike me ato të përdorura nga mbështetësit e Pashinianit më 2018. Pashinian ishte një figurë opozitare para se të merrte pushtetin mbështetur nga protestat në rrugë katër vjet më parë.

Pashinian është zotuar të mos nënshkruajë asnjë marrëveshje paqeje me Bakunë, pa u konsultuar më parë me armenët etnikë që jetojnë aktualisht në Nagorno-Karabak.
