“Traditat patriarkale e kodi arkaik i nderit”, mediumi zviceran: Dy raste të femicidit në më pak se një javë në Kosovë

Radio televizioni zvceran, mediumi publik në shtetin helvetik ka shkruar për vrasjen e dy grave së fundmi në Kosovë.

Flamujt ishin në gjysmështizë në Kosovë të mërkurën, një ditë zie kombëtare pas vrasjes së dy grave në më pak se një javë, gjë që i shtyu liderët ta theksojnë “nevojën urgjente” për t’i forcuar institucionet gjyqësore për të “mbrojtur jetën” e qytetarëve.

Të premten, një e re 21-vjeçare u qëllua për vdekje në qytetin e Ferizajt, rreth tridhjetë kilometra në jug të kryeqytetit, Prishtinës. Ish-burri i saj, i dyshuar, është arrestuar nga policia.

Disa ditë më vonë, një tjetër grua u qëllua për vdekje në qytetin e Pejës (perëndim), “me gjasë e vrarë nga bashkëshorti i saj”, i cili sipas prokurorisë u arrestua.

Këto vrasje tronditën Kosovën, një vend i vogël me 1.8 milionë banorë, disa qindra njerëz demonstruan në Prishtinë për të kërkuar një politikë më të ashpër kundër autorëve të dhunës ndaj grave.

“Kërcënim për Kosovën”

Presidentja e Kosovës, Vojsa Osmani, ka reaguar duke e shpallur të mërkurën ditë zie kombëtare përballë “tendencës alarmante të atentateve ndaj grave”. Ajo në mëngjes ka takuar ministrat e Drejtësisë dhe të Brendshëm, si dhe drejtorin e Policisë.

Ajo ka shfrytëzuar rastin për ta nënvizuar “nevojën urgjente për t’i forcuar të gjithë mekanizmat brenda institucioneve të sigurisë dhe gjyqësorit për ta mbrojtur jetën e qytetarëve”, thuhet në një komunikatë për media nga shërbimet e saj.

Duke dalë nga takimi, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu tha se vrasjet ishin “një armik i brendshëm që përbën një kërcënim të madh për Kosovën”.

“Këto sjellje barbare dhe këto akte monstruoze shkatërrojnë jo vetëm jetën e viktimave, por edhe ato të familjeve dhe shoqërisë së tyre” shtoi ajo.

1100 raste të dhunës ndaj grave në 2023

Traditat patriarkale dhe kodi arkaik i nderit mashkullor mbeten një plagë në Ballkan, ku dhjetëra gra vriten çdo vit nga bashkëshortët e tyre.

Në vitin 2023, policia regjistroi më shumë se 1,100 raste të dhunës ndaj grave në Kosovë, por organizatat e të drejtave të njeriut thonë se ky numër përfaqëson vetëm një pjesë të vogël të rasteve. Që nga viti 2010, sipas autoriteteve, në Kosovë janë vrarë 55 gra.

Go to TOP