Tiranë, tubim ndërgjegjësues për kancerin e gjirit i veprimtarëve dhe i mjekëve
Në Tiranë, u zhvillua sot një tubim ndërgjegjësues kundër kancerit të gjirit nga veprimtarët dhe familjarë të zonjave, që përballen me këtë sëmundje. Ata morën pjesë në një garë simbolike vrapimi për të mbledhur fonde në mbështetje të vajzave dhe grave të prekura nga sëmundja e shekullit. Kanceri i gjirit në Shqipëri ka një tendencë në rritje, sipas ekspertëve, por zbulimi i herët i kësaj sëmundje e bën krejt të kurueshme në pjesën dërrmuese të rasteve.
Shoqata e Pacienteve Evropa Donna Albania organizoi sot në Sheshin Nënë Tereza të Tiranës një tubim dhe një garë simbolike vrapimi e marshim për të ndërgjegjësuar shoqërinë ndaj kancerit të gjirit, titulluar “Race for The Cure, Albania”.
“Të gjithë donacionet do të shkojnë për të mbështetur vajzat dhe gratë, që janë përballur me kancerin e gjirit, si dhe për dhurimin e protezave të silikonit për ato gra, kanë nevojë”, tha Donjeta Zeqa, drejtuese e organizatës “Europa Dona Albania”.
Në tubim foli mjeku i njohur shqiptar, Prof. Asc. Helidon Nina, mjek kirurg onkolog, drejtues mjekësor në spitalin onkologjik të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Ai tha se kanceri i gjirit nuk luftohet vetëm në tetor. Ai bëri thirrje për vizita periodike me qëllim që sëmundja të zbulohet në faza sa më të hershme, sepse trajtimet janë modernizuar shumë dhe mundësojnë shërim të plotë.
Sistemi shëndetësor publik siguron vizita mamografie falas gjithë vitin me 14 pajisje në 12 qytete, ndërsa fushata e ndërgjegjësimit kundër kësaj sëmundje përqendrohet më së shumti në muajin tetor.
Vitin e fundit u kryen gjithsej 25 mijë mamografi, nga të cilat 11 mijë janë kryer në muajin tetor dhe 5 mijë të tilla u kryen në njësitë e mamografive të lëvizshme.
Autoritetet shëndetësore kanë pohuar se kanceri i gjirit në Shqipëri, e cilësuar si sëmundja e shekullit, ka një tendencë në rritje, por 99% e rasteve të zbuluara herët janë krejtësisht të kurueshme, ndaj zbulimi i hershëm rrit e ndjeshëm kurimin e suksesshëm të kësaj sëmundje, ndërsa parandalimi i saj vjen me kontrolle të rregullta.
Në listën e barnave të rimbursueshme shtohen çdo vit barna të reja për sëmundjet tumoriale, dhe aktualisht për tumorin e gjirit janë përfshirë 20 barna të rimbursueshme dhe terapi inovatore, si dhe protokolle trajtimi të njëjta me vendet më të zhvilluara.