“Termokos” hap dyert për studentët e Universitetit të Mitrovicës – nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi

Ndërmarrja publike “Termokos” ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, e cila synon krijimin e mundësive praktike për studentët në kuadër të zhvillimit të tyre profesional.

Kryeshefi ekzekutiv i “Termokos”-it, Fisnik Osmani, mirëpriti me respekt të veçantë rektoren e universitetit, Prof. dr. Nurten Deva, me të cilën zyrtarizuan këtë marrëveshje që do të mundësojë që studentët të aplikojnë njohuritë e tyre teorike në praktikë, brenda ambienteve dhe proceseve të ndërmarrjes.

“Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje ka për qëllim thellimin e bashkëpunimit mes industrisë dhe institucioneve akademike, ku përfitues do të jenë studentët, të cilët do të kenë mundësinë të përgatiten profesionalisht për tregun e punës,” theksoi Osmani.

Përveç përmbushjes së misionit të saj për të ofruar ngrohje cilësore për qytetarët e Prishtinës, “Termokos” është kthyer në një pikë referimi për formimin praktik të kuadrove të reja, duke u pozicionuar si partner i besueshëm i arsimit të lartë dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

“Termokos, po i jep kuptim Prishtinës së gjelbër,” përfundoi Osmani. /Kosova.info/


Go to TOP