“Termokos” dhe “Banesorja” nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për ndërhyrje të përbashkëta në Prishtinë

Kryeshefi Ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike “Termokos”, Fisnik Osmani, ka nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi me Kryeshefin Ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike Banesore, Artan Berisha. Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është koordinimi i punëve dhe realizimi i ndërhyrjeve të përbashkëta në pjesë të ndryshme të Prishtinës, kudo që “Termokos” kryen punime në infrastrukturën termike.

Osmani theksoi se ky bashkëpunim ndërmarrës është tejet i rëndësishëm për ofrimin e shërbimeve të qëndrueshme dhe efikase për qytetarët e kryeqytetit.

“Çdo punë, intervenim dhe aktivitet që mund ta bëjmë bashkë – po e realizojmë si bashkëpunim mes dy ndërmarrjeve,” deklaroi ai.

Kjo iniciativë përforcon vizionin për një Prishtinë më të gjelbër dhe më të mirë-organizuar, ku ndërmarrjet publike veprojnë në harmoni për të mirën e përbashkët të qytetarëve. /Kosova.info/


Go to TOP