Tërmeti i fuqishëm në Bosnje e Hercegovinë la të vdekur një 27-vjeçare, krejt çka dihet deri tash

Një tërmet i fuqishëm ka goditur mbrëmë Bosnje dhe Hercegovinën. Nga ky tërmet ka mbetur e vdekur një grua, derisa raportohet se lëndime kanë marrë edhe një numër i madh i njerëzve. Lëkundjet e tërmetit janë ndjerë edhe në Kosovë Kroaci, Maqedoni, Shqipëri dhe Serbi.

Një tërmet i fuqishëm ka lëkundur mbrëmë Ballkanin. Epiqendra e tërmetit ka qenë në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe fuqia e tërmetit, sipas ëëë.emsc-csem.org, është shënuar 5.7 ballë të Rihterit.

Tërmeti është ndjerë edhe në Kroaci, Maqedoni, Shqipëri dhe Serbi.

Nga ky tërmet është regjistruar mbrëmë viktima e parë.

Sipas portaleve klix.ba dhe avaz.ba, bëhet fjalë për një vajzë nga Stolaci, në shtëpinë e së cilës ra një gur.

Familjarët e saj kanë konfirmuar për klix.ba që vajza ka vdekur dhe ajo kishte lindur në vitin 1994.

Fillimisht ajo u transferua në Spitalin e Mostarit, por mjekët vetëm konstatuan vdekjen e saj.

Nga tërmeti, raportohet edhe se një numër i madh i njerëzve janë lënduar.

Drejtori i Qendrës Shëndetësore në Stolac, Kazimir Raguz, ka folur mbrëmë për mediat boshnjake, rreth gjendjes së të lënduarve.

Epiqendra e këtij tërmetit ishte afër Stolacit, kështu që qyteti është më i godituri.

Siç u raportua, fatkeqësisht një vajzë ka humbur jetën, pas një gur ra në një shtëpi.

Raguz tha së përveç këtij rasti nuk ka më qytetarë tjerë të lënduar rëndë të Stolacit.

“Sonte rreth orës 23 ka ndodhur një tërmet i fuqishëm. Disa të lënduar janë paraqitur në qendrën tonë. Një person ka qenë i lënduar rëndë dhe e kemi transportuar për në spitalin e Mostarit dhe disa të tjerë kanë pasur lëndime më të lehta”, tha Raguz.

Ai nuk ka dhënë shumë detaje për vajzën e plagosur, por familjarët e saj më herët konfirmuan për klix.ba se ajo fatkeqësisht kishte vdekur.

“Kemi ardhur sonte këtu me katër ekipe emergjente, jemi të gatshëm që të reagojmë nëse duhet për raste të tjera. Ajo që dimë nga terreni është së ka pasur rrëshqitje të vogla të dheut, disa dëmtime të fasadave, etj. Mbrojtja civile do të vlerësojë më tej gjendjen në terren dhe do të ndihmojë të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë”, ka thënë ai.

Kur ka folur për lëndimet e qytetarëve ai ka treguar se bëhet fjalë për gërvishje, ndrydhje kyçesh, etj, e ku pasi kanë marrë ndihmën e parë janë kthyer në shtëpi.

Edhe tre tërmete të vogla janë regjistruar pas tërmetit të madh në Bosnje Hercegovinë.

Sipas EMSC, një nga tre tërmetet e vogla u regjistrua në orën 23:14 dhe kishte një magnitudë prej 3.1 të Rihterit. Tërmeti i vogël ka ardhur shtatë minuta pas tërmetit të parë, që sipas Shërbimit Sizmologjik të Kroacisë ka qenë në magnitudë 6.1 kurse sipas EMSC-së, 5.7.

Tërmeti tjetër është regjistruar në orën 23:50 dhe kishte mahnitudë 2.7.

Tërmeti i tretë u regjistrua 25 minuta pas mesnatës dhe ishte i magnitudës 3.9 të Rihterit.

Sizmologu i Shërbimit të Seizmologjisë në Kroaci, Tomislav Fiket tha për HRT së dy tërmetet e mëpasme kishin një magnitudë 4 kurse një ishte me magnitudë 3.5.

Fiket tha se magnituda më e fortë u regjistrua në epiqendër e që ishte 6.5 ballë, por se në brendësi të Dubrivniku dhe në disa pjesë të Malit të Zi mund të ishte edhe më e fortë.

Epiqendra e tërmetit të parë, më të fortit, ishte në komunën lindore të Hercegovinës, Ljubinje, e cila është 19 kilometra nga Stolaci.

Share Now

Go to TOP