Tërheqja e 17 milionë eurove rrezikon shërbimet shëndetësore në Ferizaj
Komuna e Ferizajt po përballet me kolaps në shëndetësi për shkak të tërheqjes së 17 milionë eurove nga buxheti për obligimet e kontratës kolektive. Situata po shkakton mungesë të barnave esenciale dhe rrezikon shërbimet emergjente, duke shkaktuar përplasje mes pushtetit lokal dhe opozitës.
Ja teksti me vetëm korrigjimet e gabimeve drejtshkrimore dhe gramatikore, pa shtuar asnjë fjalë:
Tërheqja e rreth 17 milionë eurove nga buxheti i Komunës së Ferizajt për pagesën e obligimeve që rrjedhin nga kontrata kolektive pritet të ndikojë edhe në sektorin e shëndetësisë. Përgjegjësit në këtë dikaster nënvizojnë se, pos që mund të ndikojë në kufizimin e ofrimit të shërbimeve, do të ketë ngecje edhe në investimet kapitale.
“Mungesa do të vërehet në çdo njësi, në secilin sektor. Do ta kemi të pamundur blerjen e reagentëve për laborator, të pamundur blerjen e reagentëve edhe për punë efikase në stomatologji, mungesa e pjesshme e barnave esenciale na pamundëson, në kuptimin e marrjes së ampulave esenciale, edhe për emergjencën, edhe në kujdestarinë e natës, edhe për kujdesin paliativ në terren. Pamundësia e blerjes së derivateve, si pasojë e penalizimit nga kontrata kolektive, do të dërgojë, sipas të gjitha gjasave, edhe në ndërprerjen e transportit të pacientëve me dializë për Spitalin Rajonal dhe, në të njëjtën kohë, edhe ndaljen e emergjencës së dytë për transportin e pacientëve nga Spitali Rajonal për në Prishtinë”, thotë Kemajl Emini, drejtor i Shëndetësisë në Ferizaj.
E opozita në Ferizaj thotë se pushteti nuk ka bërë planifikim të mirë të buxhetit dhe kontratën kolektive po e shfrytëzon si arsyetim.
“Kjo ka ardhur për shkak të keqmenaxhimit dhe keqpërdorimit të projekteve të buxhetit të Komunës së Ferizajt. Edhe për këtë tash po e nxjerrin një arsyetim, për shkak se kontrata kolektive po na e merr buxhetin. Por është e pavërtetë. Tash këtë në pah e nxjerr raporti i auditimit për vitin 2025 për Komunën e Ferizajt, ku 69 projekteve nuk u janë përfunduar pagesat me kohë. Paramendoni, deri në 6 vite është vonuar pagesa e projekteve dhe kjo tani është dërguar në përmbarues”, tha Brahim Osmani nga LVV.
“Realisht jemi shumë të shqetësuar për këtë situatë e cila është krijuar së fundmi në komunën tonë, sepse e dimë të gjithë që kontrata kolektive nuk është ajo që po e sjell komunën në dyert e përmbaruesit. Kjo kontratë po përdoret vetëm si alibi, sepse e gjithë arsyeja për ndalimin e këtyre shërbimeve shëndetësore, ku po e pësojnë qytetarët e komunës tonë, është për shkak të keqmenaxhimit dhe të keqplanifikimit të buxhetit komunal”, theksoi Besnik Salihu nga LDK.
Komuna shpreson në një zgjidhje nga niveli qendror sa i përket përmbushjes së obligimeve që sjell Kontrata Kolektive.
