Kosova.info

Të vonuar dhe të dëmtuar!

Shkruan: Florim ZEQA

Përvjetori i 15-të i pavarësisë po e gjen Kosovën të vonuar në procese integruese dhe të dëmtuar politikisht, të ndarë dhe përçarë si asnjëherë më parë! Sindroma e ndarjes në momentet kyçe historike, përveçse me humbje territoresh, na ka kushtuar edhe me shpopullim të trojeve etnike shqiptare.

Uniteti i viteve të ’90-ta, unitet biblik i shqiptarëve

Pa unitet asnjë popull gjatë historisë nuk ka mundur t’i arrijë objektivat strategjike kombëtare. Sa herë që kemi qenë unik gjatë historisë kemi dalë fitimtarë, dhe po aq herë që kemi qenë të ndarë dhe të përçarë kemi dalë humbës në tavolinat e bisedimeve!

Mirëpo, ky nuk është problemi i vetëm i shqiptarëve!

Parashtrimi i kërkesave minimaliste përballë ndërkombëtarëve, gjithnjë na i ka sjellë rezultatet margjinale apo minimale!

Pavarësia e Kosovës ishte kërkesë reale e kohës, por tejet minimale për aspiratat e një populli të pushtuar dhe copëtuar në disa shtete! Mbase sikur të mos ishte vendosmëria e Ibrahim Rugovës në kërkesën e tij dhe lufta çlirimtare, pavarësia e Kosovës do të na mbetej vetëm një ëndërr e parealizuar siç ka mbetur bashkimi i trojeve etnike shqiptare.

Mungesa e unitetit tonë politik na është shpërfaqur në të gjitha takimet ndërkombëtare që nga Konferenca e Rambujesë e deri tek dialogu i Brukselit.

Në veçanti, në dialogun e Brukselit, Kosova gjithnjë ka qenë e ndarë dhe e përçarë. Opozita asnjëherë nuk e ka mbështetur pozitën në dialog, madje në raste të caktuara është kundërshtuar dhunshëm deri në flak vënie të institucioneve shtetërore!

Uniteti që na është dashur dje, na duhet sot, nesër dhe përgjithmonë për arritjen e objektivave strategjike kombëtare.

Të gjitha partitë politike duhet të vetëdijesohen, për ndaljen e përçarjeve dhe për krijimin e një uniteti ndërpartiak për të nxjerrë më të mirën e mundshme nga dialogu përfundimtar me Serbinë në Bruksel.

Asociacioni “Kalë Troje” i përçarjes së shqiptarëve

Të mos na bëhet Asociacioni “Kalë Troje” i përçarjes tonë, por të mobilizohemi në të dyja nivelet e qeverisjes (qendrore dhe lokale) për të parandaluar kompetencat ekzekutive të këtij asociacioni njëetnik, respektivisht në parandalimin e subjektivitetit politiko-juridik të kësaj krijese rrënuese për shtetin tonë, të votuar në Parlamentin e Kosovës në vitin 2013.

Subjektiviteti juridik i Asociacionit të Komunave Serbe e bën Republikën e Kosovës jo funksionale dhe me sovranitet të dyfishtë.

Partitë politike duhet të unifikohen për sjelljen e “Planit Franko-Gjerman” në Kuvend për diskutim dhe jo vetëm, duhet të kërkohet shqyrtim dhe sqarim publik për opinionin e gjerë, ngase jo vetëm qytetarët, por as deputetët nuk e kanë të qartë se çfarë përmban në esencë ky plan konfuz dhe me dualizëm të interpretimeve!

Duhet treguar të gjithë qytetarëve të vendit se plani franko-gjerman nuk e parasheh njohjen reciproke dhe as në qendër siç po e kërkon kryeministri ynë! Në fakt, plani franko-gjerman për synim e ka njohjen dhe pranimin e gjendjes faktike, me theks të veçantë realitetin e krijuar në veri me Asociacionin (Zajednicën).

Pranimi i gjendjes aktuale sipas planit franko-gjerman e nënkupton prezencën e Serbisë në Kosovë, por jo edhe të Kosovës në Luginën e Preshevës! Në këtë rast kemi humbje të sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial pa fituar asgjë në këmbim! Pra, sipas këtij plani Kosova përfundimisht do të mbetet pa Luginën, pa anëtarësim në BE dhe pa ulëse në OKB!

Kaq poshtë na ka rënë pazari politik!

Qofsha i gabuar në konstatimin tim analitik!

escort mersin - izmir escort