Kosova e pasur me resurse natyrore, e varfër në politikbërje!
Shkruan: Florim ZEQA
Shkak i zbrazjes së Kosovës nga qytetarët e saj nuk është mungesa e resurseve natyrore dhe as e rezervave nëntokësore, por varfëria politike në qeverisjen e vendit dhe mungesa e perspektivës zhvillimore. Pra, për shkak të klasës së dështuar politike, shteti i Kosovës po vendnumëron për vite të tëra në pikën zero.
Shteti pa barazi ligjore, inekzistent për qytetarët
Nuk ke si ta quash ndryshe një klasë politike, pos të dështuar, e cila për 27 vjet pas luftës çlirimtare nuk arriti të ndërtojë një skemë të sigurimeve shëndetësore dhe as një perspektivë të qartë zhvillimore që garanton mirëqenien e qytetarëve.
Një politikë që për 27 vjet rresht nuk arriti të krijojë drejtësi dhe barazi qytetare para ligjit, nuk e meriton të qeverisë tutje me vendin!
Për më keq se kaq, politikbërja kosovare i vërtetoi deklarimet e armiqve shekullorë se “shqiptarët nuk janë të zotët të mbajnë shtet”.
Zgjedhjet në çdo katër muaj, për çdo vit, janë argumenti më i mjaftueshëm i paaftësisë qeverisëse të politikanëve tanë.
Shteti nuk ndërtohet me inate personale, me ndërskamca e shantazhe kundër njëri-tjetrit, por duke bashkëpunuar dhe ndihmuar njëri-tjetrin në qeverisjen e vendit.
Respektimi i rezultateve zgjedhore dhe njohja e fituesit janë parime bazë të demokracisë. Ndërsa kompromisi dhe toleranca janë pikënisja e çdo partie politike që i fiton zgjedhjet në Kosovë.
Kurse, kryeneqësia dhe inatet personale, urrejtja dhe egoja për pushtet po e dërgojnë vendin në ngërçe dhe bllokada të pambarimta, pasojat e të cilave po i vuajnë qytetarët.
Kjo varfëri politike është kthyer në sindromë kancerogjene për buxhetin e shtetit të Kosovës, ku për çdo vit avullohen me dhjetëra miliona euro vetëm për procese zgjedhore.
Varfërimi i buxhetit të shtetit do të thotë varfëri për qytetarët, por jo edhe për politikanët! Pasi partitë politike financohen nga shteti dhe nga oligarkët ekonomikë.
Asnjë politikan nuk paguan asgjë në Kosovë nga xhepi i tij, por nga arka e shtetit dhe e partisë politike! Kjo është arsyeja pse gara po bëhet kaq e ashpër mes partive politike dhe arsyeja pse po ndodh vjedhja e votave brenda sojit (partisë)!
Prandaj, është i nevojshëm ndryshimi substancial i sistemit qeverisës në vendin tonë! Por, paraprakisht ndryshimit të sistemit politik, duhet të ndryshojnë dhe reformohen partitë politike, të cilat më së paku janë në shërbim të qytetarëve!
Partitë politike, të kthyera në korporata fitimprurëse për kryetarët dhe rrethin e afërt të tyre, kanë çuar në degradimin e vlerave demokratike, siç janë meritokracia dhe vota e lirë!
Përderisa të fillojnë të largohen nga politika artistët, mjekët, profesorët, krijuesit dhe shkencëtarët, sportistët dhe yjet e estradës, policët dhe ushtarët, nuk mund të themi se politikbërja kosovare është kthyer në rrugë të mbarë.
Lënia e qetë dhe krijimi i kushteve për punë normale për kategoritë e sipërcekura do të thotë kthim i shtetit në normalitet, ku respektohen vlerat e shoqërisë sonë.
Pas certifikimit të rezultatit zgjedhor nga KQZ-ja, mesazhi i këtij shkrimi është ky:
“Apel të gjithë krerëve të partive politike që të bashkëpunojnë ngushtë në gjetjen e një kompromisi politik për zgjedhjen e Presidentit. Në të kundërtën, do të ndëshkohen edhe më keq nga elektorati me bojkot të përgjithshëm të procesit zgjedhor.”
