Të hënën mblidhen kryediplomatët e BE-së, Vuçiq pret përgjigjen për “njohjen në qendër” që e do Kurti

Të hënën më 14 nëntor në Bruksel do të mblidhen shefat e diplomacisë të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Në këtë takim do të diskutohet edhe për Ballkanin Perëndimor, respektivisht edhe për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kjo konfirmohet në agjendën zyrtare që është publikuar në faqen e Këshillit Evropian, ku tregohet se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell do të kryesojë takimin.

“Më 14 nëntor, Këshilli, i kryesuar nga Përfaqësuesi i Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, do të zhvillojë shkëmbime pikëpamjesh mbi agresionin rus kundër Ukrainës, rajonit të Liqeneve të Mëdha dhe Ballkanit Perëndimor”, shkruan agjenda zyrtare.

Agjenda e takimit të Këshillit për Punë të Jashtme, faqja zyrtare Screenshot

Për këtë takim dje në një intervistë për mediat serbe nga Parisi ka folur edhe kreu i shtetit serb, Aleksander Vuçiq. Presidenti serb ka folur për këtë çështje kur është pyetur për kërkesën e kryeministrit Albin Kurti që marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet ta ketë njohjen në qëndër.

Vuçiq ka thënë se duhet pritur se cili do të jetë qëndrimi i kryediplomatëve të shteteve anëtare për këtë çështje në takimin që do të mbahet në fillim të javës që po vjen.

“Do të ketë një takim të ministrave të jashtëm të BE-së të hënën. Mbetet të shihet se çfarë do të konstatohet pas kësaj mbledhje”, ka thënë Vuçiq.

Ky takim i ministrave të jashtëm që do të kryesohet nga Josep Borell vjen pas takimeve që ky i fundit ka pasur të premten në Paris fillimisht me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurtin dhe më pas edhe me presidentin serb, Aleksander Vuçiq. në këto takime ka qenë prezent edhe emisari për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak.

Ndërkohë nuk është arritur konsensus për realizimin e një takimi Kurti-Vuçiq në Paris edhe përkundër se kjo ishte paralajmëruar si diçka që do të mund të ndodhte.

Aktualisht dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë ka stagnuar si rezultat i çështjes së targave. Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur në të drejtën e saj për zbatimin e vendimit edhe përkundër kërkesave ndërkombëtare për shtyrje, ndërkohë Beogradi ka cytur serbët në Veri të Republikës së Kosovës që t’i lëshojnë institucionet.

I gjithë ky ngërç vjen në një momentum të ri të krijuar në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë pas propozimit franko-gjerman.

Kryeministri Albin Kurti e ka konsideruar si bazë të mirë derisa para nisjes në Paris ka thënë se me vete e ka edhe propozimin e Kosovës për kornizën e përgjithshme.

Ndërsa presidenti i Serbisë Aleksander Vucic ka treguar se propozimit frank-gjerman i është kundërpërgjigjur me një non-paper por pa dhënë detaje.

Go to TOP