Të gjithë jemi të “mirë”, të mirat po na mungojnë!

Shkruan: Florim ZEQA 

“Qeveria është e mirë, opozita është e mirë, të gjitha partitë politike janë të mira, të gjithë liderët partiak janë të mirë, të gjithë kryetarët e komunave janë të mirë, të gjithë politikanët janë të mirë, të gjithë, të gjithë jemi të mirë, por të mirat po na mungojnë”!

Rezultatet e tregojnë “suksesin” e qeverisjeve në Kosovën e pasluftës

E nisa kështu shkrimin me qëllimin më të mirë, që t’i kënaqi të gjitha tifozeritë e partive politike pak në fillim, por kur t’i kthehemi realitetit të jetës në Kosovë, venitet kënaqësia dhe e vërteta na del të jetë krejt ndryshe dhe e hidhur!

Nga do që të fillojë analizën time politike, rezultat nuk përputhen me lëvdatat e shkruara në fillim të këtij shkrimi. Sikur vetëm 20 % e dëshirave tona të ishin realizuar në shtetin e Kosovës së lirë dhe të pavarur, situatën do ta kishim tjetër nga kjo që e kemi sot.

Nëse e marrim aspektin e zhvillimit ekonomik jemi ndër vendet më të pazhvilluara, nëse e marrim aspektin e sigurisë jemi vendi më i pasigurt, nëse e marrim aspektin e shëndetësisë jemi nën mesataren e dëshiruar, nëse e marrim aspektin e sistemit arsimor PISA po na e tregon nivelin e ulët arsimor në të cilin ndodhet Kosova!

Por, nëse e marrim sistemin e drejtësisë jemi katastrofë, jemi në nivelet më të ulëta të mundshme. Lëndët e veprave të rënda kriminale dhe korruptive qëndrojnë prej vitesh të pluhurosura në sirtarët e drejtësisë, ngase nuk ka prokuror dhe as gjykatës që guxon t’i prekë me dorë dosjet e nivelit të lartë, gjegjësisht të bosëve të krimit të organizuar, korrupsionit dhe vjedhjeve skandaloze të buxhetit të shtetit nga të gjitha pushtetet e pasluftës deri tek ky i viteve të fundit!

Lënja e shtetit në duart e bandave partiake

Zbrazja e Kosovës nga të rinjët, nga të gjitha shtresat dhe nga të gjitha nivelet e popullsisë, është tregues se diçka nuk është në rregull me qenien tonë kombëtare, me partitë politike dhe as me popullatën që po i voton në të gjitha zgjedhjet!

Lënia e shtetit në duart e partiake të dështuara politike dhe ikja në perëndim nuk e ndihmon të ardhmen e shtetit, përkundrazi i ndihmon ato në forcimin e pozicioneve të tyre në terrenin e kontaminuar politik të Kosovës.

Partitë tona politike, pa dallim pushtet dhe opozitë, asnjëra prej tyre nuk e kanë prioritet shtetin dhe mirëqenien e qytetarëve, por mbajtjen, gjegjësisht marrjen e pushtetit, për të qenë më afër ‘Arkës së Shtetit’, për vjedhur dhe plaçkitur gjithçka që munden nga buxheti i shtetit, këtë pasuri të përbashkët, të grumbulluar nga tatimpaguesit e (varfër) ndershëm të këtij shteti.

I quajta tatimpagues të ndershëm, për faktin se kemi edhe të atillë që jo vetëm që nuk i paguajnë rregullisht tatimet ndaj shtetit, nuk e paguajnë rrymën, ujin, ngrohjen, mbeturinat, etj., e të mos flasim për qytetarët (serbë) e veriut të vendit, të cilët nga paslufta vetëm marrin e nuk paguajnë asgjë nga shteti i Kosovës.

Kur jemi në këtë aspekt, nuk e lënë keq as një pjesë e qytetarëve në tërësinë territoriale të vendit tonë! Këta janë të fortët e pushtetit ose mbështetës të tyre, të cilëve nuk guxojnë t’iu ofrohen tatim-kërkuesit, madje as zyrtarët shtetërorë të Agjensionit Antikorrupsion për mosdeklarim të pasurive!

Abuzimet dhe diplomat e falsifikuara

Asnjëherë dhe në asnjë periudhë historike, në Kosovën tonë të dashur nuk ka pasur më shumë abuzues sesa sot! Abuzuesit janë të kategorive të ndryshme, duke filluar nga rastet sociale, veteranët mashtrues, gjeneralët pa akademi ushtarake, mjekët abuzues, prokurorët dhe gjykatësit e me ‘diploma të natës’ e deri tek titujt shkencor dhe akademik me diploma të falsifikuara dhe plagjiaturë! Sot, kur kemi kaq shumë tituj shkencor, rezultatet po na mungojnë, sot kur të gjithë jemi të “mirë”, të mirat po na mungojnë!

Go to TOP