Talenti i ri Urim Sadiku triumfon në turneun e boksit në Prishtinë
Turneu i boksit “Uniteti Boxing Cup 2025” shpalli fituesin e tij më të madh, Urim Sadikun që garon në kategorinë deri 70 kilogramë.
Ngjarja, e organizuar nga Klubi i Boksit Uniteti, u zhvillua të dielën në sallën e boksit të Hotel Grand në Prishtinë, dhe ofroi ndeshje të forta dhe spektakolare.
Në finale, 17-vjeçari Sadiku mposhti Festim Maqastenën nga Klubi Cellactive, duke fituar titullin e boksierit më të mirë të turneut.
Përveç titullit të boksierit më të mirë, tekniku më i mirë u shpall Tugen Xhaferri, ndërsa boksierja më e mirë e turneut u vlerësua Agnesa Veseli.
Turneu “Uniteti Boxing Cup 2025” u shndërrua në një festë të vërtetë të boksit, duke nxjerrë në pah talentet e reja dhe duke përforcuar reputacionin e klubit organizator.
