Takimi ShBA-Karta e Adriatikut: Ballkani mbetet subjekt i ndikimeve malinje

Në Tiranë, shefat e Shtabeve të ushtrisë të vendeve të rajonit, pjesë të nismës ShBA-Karta e Adriatikut theksuan sot se “Ballkani mbetet subjekt i ndikimeve malinje”. Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë, njëherazi Komandant i Forcave amerikane në Evropë, gjeneral Christopher Cavoli, deklaroi se takimi i sotëm, ishte një mundësi për t’u angazhuar në dialog e për t’u përqendruar “në këtë pjesë kritike të Evropës”.

Karta e Adriatikut përfshin si anëtare të saj 5 vende të Ballkanit, me Kosovën që ka statusin e vëzhguesit, ndërsa Serbia nuk është pjesë e saj. Takimi i sotëm në Tiranë, i bashkëkryesuar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare gjeneralmajor Arben Kingji dhe gjenerali amerikan Christopher Cavoli, pati në qendër rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes mbi pragun 2% e Produktit të Brendshëm Bruto, si një mënyrë për të përmbushur objektivat e kapaciteteve të Aleancës si dhe objektivat e planifikimit dhe rishikimit të Nato-s për vendet partnere, e po ashtu dhe zhvillimet në mjedisin e sigurisë me fokus rajonin e Ballkanit, të cilin gjenerali amerikan e përkufizoi si “një pjesë kritike të Europës”.

Në fjalën e tij të shkurtër në hapje të konferencës ai tha se “vendet pjesëmarrëse janë të gjitha të angazhuara për të çuar përpara parimet e Kartës së OKB dhe vlerave themelore të cilat për ne janë shumë të shtrenjta. Sot kjo është më e rëndësishme se kurrë”, nënvizoi ai.

Në deklaratën e përbashkët të takimit theksohet se “Ballkani Perëndimor mbetet subjekt i ndikimeve malinje, duke përfshirë dezinformimin, kërcënimet hibride dhe kibernetike, të paraqitura nga aktorët shtetërorë dhe joshtetërorë. Në këtë drejtim, vlerat demokratike, sundimi i ligjit, reformat e brendshme, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe gjithëpërfshirja janë jetike për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin euroatlantik dhe ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë të përparojmë drejt këtij qëllimi.”

Edhe ministri shqiptar i Mbrojtjes, Pirro Vengu, gjatë takimit u shpreh se “rajoni nuk duhet të mbetet peng i së shkuarës”, duke konsideruar “thelbësore që të tejkalohen problemet etnike, kulturore, e politike që kanë qenë vetëm shpesh burim konfliktesh në të shkuarën. Mësimet duhet t’i kemi nxjerrë, edhe pse shpeshherë, dëgjojmë zëra përçarës, “partnerë të vlerave perëndimore në deklarata, por idhtarë dhe shërbëtorë të dukshëm të luftës hibride të Lindjes”, në realitet dhe në praktikë. Këto zëra nxisin grupet ultra-nacionaliste e kriminale dhe vendosin në pikëpyetje shpesh stabilitetin dhe sigurinë e rajonit tonë”.

Për presidentin Bajram Begaj “bashkëpunimi ynë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet një gur themeli për të gjitha përpjekjet tona. Falë këtij partneriteti strategjik, të qëndrueshëm e të fortë, ne kemi sigurinë dhe besimin se Ballkani Perëndimor do të vazhdojë të jetë një rajon i paqes dhe stabilitetit”.

Si presidenti Begaj ashtu dhe ministri i Mbrojtjes Vengu, e Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare Kingji, i mëshuan anëtarësimit të Kosovës në këtë nismë duke vlerësuar se një akt i tillë do t’i shërbente dhe më mirë sigurisë në rajon.

Ndërsa në deklaratën përfundimtare të takimit vihet në dukje se “integrimi në NATO i të gjitha vendeve aspirante në Evropën Juglindore është një nga qëllimet kryesore të Iniciativës. Në këtë kuptim, ne mbështesim politikën e dyerve të hapura të NATO-s dhe mbështesim aspiratat e vendeve aspirante të mbetura nga Evropa Juglindore drejt anëtarësimit në NATO, duke respektuar nevojën për dialog të brendshëm”.

Go to TOP