Tahiri: Fokusi ynë është familja dhe gruaja – fond komunal për gratë në Vushtrri

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka prezantuar programin e tij zgjedhor për katër vitet e ardhshme duke vënë në qendër të tij familjen dhe gruan.

Tahiri tha se Vushtrria që qytetarët e duan ndërtohet duke fuqizuar gratë dhe duke luftuar dhunën në familje. Ai theksoi se do të krijohet një fond komunal për gratë, i cili do të përfshijë: programe trajnimi për punësim; subvencione për biznese të vogla; mentorim dhe rrjetëzim profesional dhe subvencionim të programeve për parandalimin e dhunës në familje.

Në kuadër të planit, Tahiri ka paralajmëruar gjithashtu: mbështetje prej 400 eurosh për çdo nënë për fëmijët e lindur në Vushtrri; përkrahje për nënat vetushqyese dhe subvencionim të normës së interesit të kredisë për blerjen e banesës për familjet e reja.

Ai shtoi se, sipas të dhënave të ASK-së, në Vushtrri jetojnë 9,583 gra mbi moshën 40-vjeçare, me papunësi mbi 80% në këtë kategori.

“Vushtrria që ju e doni bëhet kur të gjitha gratë kanë përkrahje nga Komuna për punësim dhe kur ne bashkë luftojmë dhunën në familje”, u shpreh Tahiri. /Kosova.info/


Go to TOP