Tahir Tahiri: Bujqve iu kërkua mito për të qenë përfitues të granteve e subvencioneve

Kryetari i Sindikatës së Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri deklaroi se e mirëpret aksionin e sotëm të policisë dhe prokurorisë së shtetit për arrestimet në rastin “Subvencioni 2021”.

Siç u shpreh në emisionin Edicioni Special ka pasur më shumë keqpërdorime të buxhetit të shtetit përmes granteve dhe subvencioneve të destinuara për bujqit.

“Paratë janë keqpërdorur më shumë duke u kërkuar mito bujqve. Pra për ta fituar grantin ose subvencionin është dashur fillimisht të jepej mito për të hyrë në listën e përfituesve”.

“Zyrtarët komunalë kanë qenë një lloj msiti për t’i kërkuar mito atyre që kanë aplikuar. Janë identifikuar ata që kur fermeri e ka dorëzuar dokumentacionin, aty i kanë thënë se ‘unë mund të ta rregulloj punën që ti ta fitosh grantin, por ti duhet të paguash të holla’”, deklaroi Tahiri.

Ai po ashtu u shpreh se ka njerëz që kanë bërë këso lloj keqpërdorimesh që ende janë në detyra zyrtare.

“Ende nuk janë arrestuar personat kryesorë, zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë që i kanë keqpërdorur këto para. Ata janë zyrtarë të lartë të ministrisë dhe një pjesë e tyre janë ata që i përpilojnë këto ligjet e rregulloret brenda ministrisë lidhur me aplikimet dhe kriteret të cilat bujku duhet t’i plotësojë për të ardhur deri te përfitimi i subvencioneve e granteve”, përfundoi Kryetari i Sindikatës së Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri.

Go to TOP